Në Maqedoninë e Veriut ndizet termocentrali `TEC Negotino`
Qeveria e Maqedonisë së Veriut tha se do të vërë në punë, përkohësisht, termocentralin me naftë TEC Negotino, i cili ka qenë në gjendje të fjetur për 12 vjet, për të përmbushur kërkesën gjatë krizës energjetike.
Qeveria i dha urdhër prodhuesit shtetëror të energjisë elektrike ESM, për të blerë naftë dhe për të prodhuar energji elektrike në TEC Negotino, nga dhjetori deri në prill 2022, thuhet në një deklaratë.
ESM do ta përdorë energjinë elektrike të prodhuar nga TEC Negotino, për të plotësuar nevojat e familjeve dhe kompanisë së transmetimit të energjisë AD MEPSO, ndërsa teprica e energjisë elektrike do të shitet në treg të hapur për bizneset vendase, me çmime më të ulëta se ato të bursës.
Qeveria tha se do të mbështesë financiarisht blerjen e naftës për termocentralin në muajin e parë të funksionimit të tij.
TEC Negotino ka kapacitet total 180 MW. Termocentrali, i cili filloi të funksionojë në vitin 1978, nuk ka prodhuar energji elektrike që nga viti 2009, kryesisht për shkak të kostove të larta të prodhimit.
Në vitin 2020, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se qeveria po shqyrtonte mundësinë për të shndërruar TEC Negotino në një termocentral me gaz natyror, nëpërmjet një Partneriteti Publik-Privat, ose për ta shitur atë.
Në fillim të këtij muaji, qeveria shpalli një gjendje krize 30-ditore, pasi prodhimi në termocentralin REK Manastir me qymyr, u ndërpre për shkak të keqfunksionimeve. REK Manastir është qendra kryesore e prodhimit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut. Në të njëjtën kohë, ESM po përballet me mungesë qymyri, pavarësisht se janë shpallur plane për të rritur prodhimin e energjisë nga qymyri, me qëllim për të përmbushur kërkesën nga kompanitë vendase gjatë krizës energjetike.























