Inflacioni vjetor i Britanisë u rrit 5,1 për qind
BKT
Ekonomi

Inflacioni vjetor i Britanisë u rrit 5,1 për qind

Banka e Anglisë (BoE) vendosi të marrë masa kundër inflacionit rekord, pavarësisht rritjes së rasteve të variantit Omicron të koronavirusit, duke vendosur të rrisë normat e interesit.

"Vendimi (i BoE-së) ka qenë një akt balancues i kujdesshëm për Komitetin e Politikës Monetare, të cilët i kanë dhënë prioritet rritjes së inflacionit kundrejt rritjes së rasteve të reja të koronavirusit", tha për AA përmes një emaili Giles Coghlan, kryeanalist në firmën Forex me qendër në Londër dhe HYCM.

"Është e qartë se inflacioni fitoi", tha ai pasi Komiteti i Politikës Monetare të bankës votoi 8-1 për të bërë rritjen e saj të parë të normës në më shumë se tre vjet, duke rritur normën e interesit në 0,25 për qind, nga shifra e ulët rekord prej 0,1 për qind.

Inflacioni vjetor i Britanisë u rrit 5,1 për qind në nëntor, niveli i saj më i lartë që nga shtatori 2011, ndërsa BoE parashikon që inflacioni të arrijë në 6 për qind në prill, tre herë më shumë se objektivi i tyre prej 2 për qind, pasi vlerëson se inflacioni do të zbutet në atë nivel në fund të vitit 2023.

"Shumë tregtarë kishin parashikuar se një rritje e normës së interesit nga BoE nuk do të ishte si opsion deri në shkurt, kështu që lëvizja e djeshme e ashpër nga banka qendrore i ka zënë tregjet të pasigurta, me rënie të ndjeshme të euros dhe funtës pas publikimit", tha Coghlan.

Euro ra deri në 0,8454 të enjten kundrejt funtës britanike, nga mbyllja e mëparshme prej 0,8507, dhe më vonë u rikuperua, duke u ngjitur mbi 0,85, sipas shifrave zyrtare.

"Në masë dërrmuese, ekonomistët kishin parashikuar një rritje, por frika që shkaktoi Omicron dhe nxitja e 'Planit B' nuk kanë qenë të mjaftueshme që ta mbajnë mënjane BoE-në", tha Coghlan.

Britania raportoi shifrat e saj më të larta të virusit për të dytën ditë radhazi me 88.376 raste të enjten, duke u rritur nga 78.610 një ditë më parë.

"Varianti Omicron paraqet rreziqe negative për aktivitetin në fillim të vitit 2022, megjithëse bilanci i efekteve të tij në kërkesë dhe ofertë, dhe si rrjedhojë në presionet afatmesme globale të inflacionit, është i paqartë", tha BoE në Përmbledhjen e Politikës Monetare të saj.

"Ndikimi i variantit Omicron... do të ulë PBB-në në dhjetor dhe në tremujorin e parë të vitit 2022", tha banka.

Coghlan deklaroi se rritja e pagave në Britani mund të kishte luajtur gjithashtu një rol në vendimin e BoE-së.

“Rritja e pagave këtë javë ka qenë një shqetësim shtesë për bankën qendrore dhe mund t'i ketë shtyrë ata të tërheqin këmbëzën për të frenuar rritjen e pagave. Stafi i bankës vazhdon të vlerësojë se rritja themelore e të ardhurave ka mbetur mbi normat e para-pandemisë, ndërsa Komiteti vazhdon të shohë rreziqe rreth projeksionit për pagat në raportin e nëntorit", tha ai.

Inflacioni rekord në periudhën pas pandemisë ka detyruar bankat qendrore të ekonomive të mëdha të ndërmarrin veprime për politikat monetare ditët e fundit.

Megjithëse Banka Qendrore Evropiane i mbajti të pandryshuara normat e interesit të enjten, ajo konfirmoi se do t'i japë fund programit të mbështetjes së urgjencës pandemike deri në fund të marsit.

Rezerva Federale e SHBA-së hoqi fjalën "kalimtare" nga përshkrimi i inflacionit të mërkurën, duke thënë se do të përfundojë zvogëlimin më shpejt duke dyfishuar blerjet e aktiveve, ndërsa sinjalizoi tre rritje të normave për vitin 2022 për të zbutur inflacionin rekord.


MË SHUME NGA Ekonomi