KE plane për të shlyer borxhin e programit të rimëkëmbjes nga Covid-19
Komisioneri Evropian për Buxhetin, Johannes Hahn propozoi sot tre ndryshime në rregullat e buxhetit të Bashkimit Evropian për të siguruar të ardhura të reja dhe për të shlyer kostot e programit të rimëkëmbjes nga Covid-19 të bllokut.
“Unë mendoj se ky është me të vërtetë një moment historik”, tha Hahn në një konferencë për shtyp në Bruksel, duke përshkruar planet për të gjeneruar të ashtuquajturat “burimet e veta”, taksa të ngritura në emër të BE-së.
Pasi ekonomitë e vendeve anëtare të BE-së u përballën me COVID-19, BE-ja ra dakord në vitin 2020 për të financuar një paketë masive stimuluese për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike të bllokut me vlerë 800 miliardë euro (905 miliardë dollarë).
Për të shmangur shkurtimin e shpenzimeve për programet ekzistuese të BE-së ose rritjen e kontributeve të shteteve anëtare të BE-së, të dyja opsione të papëlqyeshme politikisht, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian udhëzuan organin më të lartë ekzekutiv të BE-së të gjente burime të reja të ardhurash.
Propozimi i parë për të ardhurat e mbledhura në emër të BE-së parashikon të ardhura nga Skema e Tregtimit të Emetimeve të bllokut, një taksë për prodhuesit e energjisë që emetojnë karbon, të drejtuara në buxhetin e BE-së.
Burimi i dytë janë të ardhura nga mekanizmi i rregullimit të kufijve të karbonit të BE-së, një tarifë për koston e karbonit të produkteve të importuara në bllok, të integruara në buxhetin e BE-së.
Të ardhurat nga një normë e taksës minimale globale e korporatës e miratuar së fundmi për bizneset më të mëdha shumëkombëshe në botë janë burimi përfundimtar i propozuar./atsh























