Hungarezët e 4iG pranë marrëveshjes për të marrë edhe ‘ONE’
BKT
Ekonomi

Hungarezët e 4iG pranë marrëveshjes për të marrë edhe ‘ONE’

Kompania hungareze 4iG, është drejt blerjes së dytë në tregun shqiptar të telekomunikacioneve.

Vetëm pak javë pasi zyrtarizoi marrëveshjen për blerjen e Albtelecom, 4iG është shumë pranë blerjes së operatorit të dytë më të madh të telefonisë celulare, ONE. Në një komunikim për mediat, Béla KAPPÉTER, drejtor për komunikimin dhe marketingun në grupin hungarez WISE, deklaroi se “4iG mund të marr në zotërim operatorin cellular me rritjen më të shpejtë në Shqipëri, duke u bërë lojtari më i madh në tregun shqiptar”. Sipas njoftimit, 4iG PLC është pranë marrëveshjes finale për të blerë “Albanian ONE Telecommunications” sh.a, kompania e dytë në tregun celular, me 1.36 milionë përdorues.  Sipas komunikatës, vitin e fundit, ONE pati të ardhura prej 68.1 milionë eurosh.

Kompania ONE (ish-Telekom Albania) u ble në fillim të vitit 2019 nga konsorciumi Albania Telecom Invest për shifrën e 50 milionë eurove. Fillimisht, konsorciumi përbëhej nga biznesmeni bullgar Spas Rusev dhe biznesmeni shqiptaro-bullgar, Elvin Guri. Vitin e kaluar, Elvin Guri bleu shumicën e aksioneve në konsorcium, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve të Spas Rusev u ble nga Atanas Dobrev, CEO i kompanisë bullgare të telekomunikacioneve Vivacom.

Në fillim të këtij muaji, 4iG njoftoi zyrtarisht marrëveshjen për blerjen e 80.27% të aksioneve të kompanisë Albtelecom, që zotëroheshin nga konsorciumi turk CETEL.

Nëse shitja e Albtelecom dhe ONE te 4iG do të miratohet nga autoritetet shqiptare, numri i operatorëve celularë në treg do të ulet në dy, nga tre që janë aktualisht. Me blerjen e Albtelecom dhe ONE, operatori i ri i kontrolluar nga 4iG do të bëhej operatori më i madh në treg sipas numrit të përdoruesve aktivë.

Grupi hungarez 4iG është edhe pranë blerjes së operatorit më të madh të telefonisë celulare në Mal të Zi, Telenor Montenegro./shekulli


MË SHUME NGA Ekonomi