Ekonomia rritet me 7%, hovi nga turizmi dhe eksportet
BKT
Ekonomi

Ekonomia rritet me 7%, hovi nga turizmi dhe eksportet

Ekonomia u rrit me 7% gjatë periudhës korrik-shtator, ndihmuar nga fluksi i turistëve dhe tregtia e jashtme.

Shifra e nxjerrë nga INSTAT krahasohet me verën e kaluar, kur Prodhimi i Brendshëm bruto u tkurr me 3.5%.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në periudhën korrik-shtator, u rrit me 7%, në krahasim me një vit më parë. Ekonomia, gjatë kësaj periudhe është gjallëruar nga turizmi dhe eksportet.

Por, krahasimi me vitin e kaluar mbetet i mangët, pasi vendi ishte nën masa më të forta për shkak të pandemisë dhe PBB u tkurr 3.5%, transmeton euronews.albania.

Megjithatë, disa degë të ekonomisë si artet, argëtimi dhe aktivitetet shkencore, nuk arritën të ringrihen këtë vit, ndërsa bujqësia dhe peshkimi kanë ngelur në stanjacion.

Edhe konsumi është rritur mbi 3% në krahasim me verën e vitit 2020.

Rikuperimi ekonomik këtë vit është brenda pritshmërive të qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare.

Kjo pasi Shqipëria ka qenë më e hapur ndaj pandemisë, në krahasim me vende të tjera, jo vetëm për vendasit, por edhe për të huajt që pranuan të bënin pushime këtu.

Në fund të vitit qeveria pret që rritja ekonomike të jetë 7.8 %. Pranë këtij parashikimi janë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore.


MË SHUME NGA Ekonomi