Ekonomia shqiptare në një vit
BKT
Ekonomi

Ekonomia shqiptare në një vit

Prodhimi kombëtar po arrin, që këtë vit, nivelet e para krizës. Kontributi direkt dhe indirekt, nëpërmjet kredisë me garanci sovrane, nuk arriti më shumë se 1.3% e PBB-së. 

Një kontribut tjetër ishte shmangia e një mbylljeje të dytë të ekonomisë. Sa ndihmuan masat e qeverisë dhe reagimi i sipërmarrjeve për të përballuar efektet e krizës dhe për të nxitur rimëkëmbjen e shpejtë?

Sipas specialistëve, vlerësimi i peshës reale të këtyre ndërhyrjeve në ekonomi është i vështirë, megjithatë në nivel mikro, mbështetja e qeverisë ishte e rëndësishme, sidomos në fazën e parë të krizës. Ndikimin e parë dhe më të rëndë e dha mbyllja e përgjithshme, afërsisht tremujore e shumë aktiviteteve ekonomike.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, vlerësohet se rreth 230 mijë shqiptarë përfituan bonusin prej 40 mijë lekësh në total. Mbështetja më e madhe e drejtpërdrejtë e sektorit privat nga qeveria ishte formula e ofrimit të garancive sovrane për sigurimin në sektorin bankar. 

Sipas informacionit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE), shuma e garantuar për të dyja skemat e garancisë sovrane arriti në afërsisht 10.5 miliardë lekë. Qeveria mori përsipër të paguante interesat e kredisë, duke iu hequr bizneseve kostot nga aplikimi i një skeme të tillë.

Mbështetur në këtë skemë, qeveria mori përsipër të garantonte 60% të kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta marrë përsipër vetë banka kredituese.

Një masë tjetër ishte shtyrja e kësteve të kredive. Kjo masë iu dha frymëmarrje huamarrësve, por edhe shpëtoi bankat nga një përkeqësim i cilësisë së portofolit të kredisë. Shtyrja e kësteve të kredive iu la familjeve dhe bizneseve 220 milionë euro.

Shqipëria ishte ndër vendet që nuk i ktheu kufizimet drastike me rritjen e valës së infektimeve. Kjo ndikoi në kthimin më të shpejtë në territor të rritjes ekonomike pozitive. Vendi iu kthye rritjes pozitive që në tremujorin e fundit 2020 me 0.8% rritje, edhe pse paketat e ndihmës ishin më të vogla, krahasuar me rajonin. 

Ritmet e rritjes progresive gjatë tre tremujorëve të fundit e vendosin Shqipërinë ndër ekonomitë me rimëkëmbjen më të shpejtë nga kriza e Covid-19, por u përkthyen në një rritje të ndjeshme të borxhit publik dhe rritje me rreth 2.6 herë të deficitit buxhetor.  

Qeveria shqiptare adoptoi të njëjtat skema që u ndoqën edhe në vendet e tjera, por me ndryshimin që fuqia për të investuar ishte dukshëm më e vogël krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Nga ana tjetër, biznesi përdori të gjithë kursimet e veta, shfrytëzoi të gjitha burimet formale dhe informale dhe arriti të mbijetojë. 

Rritja ekonomike për vitin 2021 është përtej çdo parashikimi vendas dhe të huaj. Në raportin e Bankës Botërore rritja ekonomike e parashikuar ishte 4.4% për qind, ndërkohë që rritja reale është e parashikuar me 7.8% në fund të këtij viti. Kjo rritje ekonomike përfshin të gjithë sektorët e ekonomisë.


MË SHUME NGA Ekonomi