OAK: Qeveria sa më parë ta hartojë një plan për mbrojtjen e bizniseve
BKT
Ekonomi

OAK: Qeveria sa më parë ta hartojë një plan për mbrojtjen e bizniseve

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi gjatë shpalosjes së raportit vjetor, tha se viti 2021 po e përmbyllin si një vit të vështirë pandemik gjatë të cilit operimi i sektorit privat ishte shumë i rënduar.

Ai me këtë rast ka përmendur edhe krizën e energjetike, e cila ka vështirësuar edhe më tepër funksionimin e rregullt të bizniseve, duke marrë parasysh se reduktimet më së shumti po dëmtojnë bizniset dhe punëtorët.

“Për t’iu dalë në ndihmë bizniseve, është e nevojshme që Qeveria e Kosovë sa më parë ta hartojë një plan për mbrojtjen e tyre, që të ketë sa më pak reduktime të rrymës në zonat ku ka biznise, ndërsa në rast të ngritjes së çmimeve, OAK kërkon që të bëhet subvencionimi i diferencës së çmimit”, theksoi Krasniqi.

Kreu i OAK-ut, tha se shqetësuese është mos funksionimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime si këshill më i lartë në nivel të vendit, në të cilin do të duhej të trajtoheshin të gjitha shqetësimet e bizniseve.

Krasniqi përmendi një sërë kërkesash që kanë bërë në BQK për lehtësimin e punës së bizniseve. Një ndër to të largohet kamata prej 5-8 përqind për kthimin e parave metalike në kartëmonedha, detyrim i vendosur nga BQK.

Në fund, ai ka kërkuar nga kryeministri, ministrat dhe Kuvendi i Kosovës që gjatë vitit të ardhshëm të jenë më aktivë në koordinimin e politikave së bashku me biznisin. 


MË SHUME NGA Ekonomi