Krerët e sindikatave diskutojnë për Ligjin e Pagave
Përfaqësues të Sindikatës së Policisë së Kosovës, të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, sot kanë diskutuar për sfidat e punëtorëve si dhe për Ligjin për Paga, Ligjin për Sigurimin Shëndetësor dhe për Ligjin për Pensionim të Parakohshëm.
Kryetari i SPK-së, Imer Zeqiri, bashkë me nënkryetarin Avdi Hotin, kanë pritur në takim kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin, kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharin, si dhe nënkryetaren e SBASHK-ut, Vjollca Shalën.
Gjithashtu, në këtë takim është folur rreth bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të fuqishëm mes Sindikatës së PK-së, BSPK-së dhe të SBASHK-ut. Po ashtu, bisedime pati edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen çdo ditë punonjësit e Policisë së Kosovës si dhe punonjësit e institucioneve tjera.























