Ndryshimi i taksimit për pagat, mbështetje shtresave me të ardhura të ulëta
Nga data 1 korrik e këtij viti tavani i taksimit të pagave shkon nga 150 mijë në 200 mijë lekë.
Ndërkohë edhe kufiri i taksimit për të ardhurat personale nuk do të jetë më 30 mijë lekë, por nga data 1 korrik do të jetë 40 mijë lekë, transmeton atsh.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaron se politika e taksimit të pagave synon mbështetjen e shtresave me të ardhura të ulëta dhe të mesme të popullsisë që të kenë një reduktim të mëtejshëm të tatimit mbi pagat.
“Në vijim të politikave të pagave që synojnë proporcionalitetin dhe taksimin e pagave me parimin “ai që fiton më shumë, paguan më shumë”, kemi ndërmarrë një sërë nismash në paketën fiskale që do të implementohet në vitin 2022, të cilat synojnë reduktimin e bazës së taksueshme dhe të taksave për shtresat me të ardhura më të ulëta dhe me të ardhurave të mesme. Sigurisht jeni në dijeni që tashmë kufiri i taksimit për të ardhurat personale nuk është më 30 mijë lekë, por nga data 1 korrik do të jetë 40 mijë lekë, ndërkohë që është përgjysmuar tatimi për individët që kanë të ardhura nga 40 deri në 50 mijë lekë dhe është rritur tavani i taksimit nga 150 mijë në 200 mijë lekë duke synuar, siç thashë dhe më sipër, që shtresa e mesme e popullsisë dhe shtresa me të ardhura të ulëta të ketë një reduktim të mëtejshëm të tatimit mbi pagat”, tha ajo.