ATK zgjat për një ditë afatin e deklarimit dhe pagesave për dhjetorin
Ekonomi

ATK zgjat për një ditë afatin e deklarimit dhe pagesave për dhjetorin

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka zgjatur afatin e deklarimit dhe pagesave për muajin dhjetor 2021 dhe tremujorin e katërt të 2021-s. Kjo ka ndodhur si pasojë e një problemi teknik që është paraqitur në aplikacionin EDI, mbrëmë.

Si rrjedhojë e kësaj ndërprerjeje të përkohshme, nga ATK-ja thonë se një numër i tatimpaguesve mund të ketë pasur vështirësi për të arritur të deklarojnë dhe paguajnë brenda afatit të paraparë ligjor.

Prandaj, ATK-ja ka njoftuar se për të mos aplikuar ndëshkime për shkak të mos deklarimit dhe mos pagesës brenda afatit ligjor, për të gjithë tatimpaguesit, të cilët nuk arritën të deklarojnë dhe paguajnë deri me datën 17.01.2022 për periudhën Dhjetor/2021 dhe TM4/2021, është zgjatur afati i deklarimit dhe pagesës deri më 18.01.2022, pra sot.

Kategoritë që iu shtyhet afati i deklarimit dhe pagesës deri sot janë këto: Pasqyra mujore e tatimit në burim në paga dhe kontribute pensionale, Pasqyra mujore e mbajtjes në burim dhe pagesës së tatimit në interes, të drejtat pronësore, qira, fitore në lotari etj., pasqyra tremujore mbi qiranë dhe pasurinë e patrupëzuar, pasqyra tremujore e pagesës paradhënie për biznese të mëdha individuale, pasqyra tremujore e pagesës së tatimit për korporatat e vogla e disa të tjera.

Pra, afati i deklarimit dhe pagesës do të konsiderohet nga data 01.01.2022 deri më 18.01.2022 për llojet e tatimeve/kontributeve, si në tabelën e bashkangjitur më poshtë.