18:45 / 20.01.2022
Turqi, më në fund lira fiton terren
Lira turke u forcua me 1% kundrejt dollarit amerikan pasi Banka Qendrore turke vendosi të mbajë të qëndrueshme normën bazë të interesit.
Banka njoftoi se norma bazë do të mbetet në 14%.
Banka kishte ulur normat e interesit që nga shtatori, kur ishte 19 për qind, në përputhje me kërkesat e presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Si rezultat, lira ka humbur më shumë se 44 për qind kundrejt dollarit gjatë 12 muajve të fundit.
Inflacioni u rrit në 36% në dhjetor, niveli më i lartë në gati 20 vitet e qeverisjes së Erdogan.
Banka Qendrore theksoi se ”qëllimi i saj afatmesëm është të ulë inflacionin në një kuotë ambicioze prej 5%”.
Presidenti Erdogan mbron teorinë sipas së cilës normat më të larta të interesit shkaktojnë më shumë inflacion./atsh























