Bankat, standarde të lehtësuara kreditimi për biznesin
Ekonomi

Bankat, standarde të lehtësuara kreditimi për biznesin

Bankat lehtësuan kreditimin për bizneset në tremujorin e katërt të vitit 2021.

Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues që kryhet nga Banka e Shqipërisë, standarde të lehtësuara kreditimi u raportuan si për biznesin e vogël dhe të mesëm, ashtu edhe për biznesin e madh.

Lehtësitë konsistuan sidomos në kreditë e lëvruara me qëllim mbulimin e nevojave për likuiditet, ndërkohë që në ato për financimin e investimeve standardet mbetën të pandryshuara.

Sipas bankave, kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja të disbursuara për  bizneset u lehtësuan në tremujorin e fundit të vitit 2021, për herë të parë që prej periudhës para pandemisë.

Lehtësimi i tyre u arrit nga marzhet më të ulta të aplikuara mbi kreditë normale, si edhe nëpërmjet reduktimit të komisioneve dhe kostove të tjera jo-interes, teksa paralelisht, edhe kërkesa për kredi e bizneseve vijoi të jetë e lartë edhe në tremujorin e katërt.

Kredia për biznesin arriti vlerën e mbi 201 miliardë lekëve gjatë 9-mujorit 2021 duke shënuar një rritje me 9 % me bazë vjetore. /atsh