B2-shi rikthehet në prodhim gjatë natës, ose nesër në mëngjes
Ekonomi

B2-shi rikthehet në prodhim gjatë natës, ose nesër në mëngjes

Kanë përfunduar pothuaj të gjithë punët rreth remontit të bllokut B2 të termocentraleve Kosova B, kapacitet ky shumë i rëndësishëm i prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Sot, që nga orët e hershme të mëngjesit ambientet e termocentralit Kosova B “zienin’ nga punët e mëdha dhe të shumta që bënin ekipet e këtij termocentrali për të përfunduar të gjitha punët rreth rreth remontit të Njësisë B2, e cila siç dihet, për shkak të një defekti goxha serioz teknik, ka qenë jashtë sistemit, përkatësisht nuk ka prodhuar energji elektrike që nga 14 dhjetori i vitit 2021.

Buletini Ekonomik raporton se gjatë ditës së premte është punuar kryesisht në finalizimin e të gjitha punëve, edhe atyre më të imtave dhe më të skajshme dhe në verifikimin e punëve remontuese që janë duke vazhduar që nga dhjetori i vitit të kaluar. Pritet, që sipas këtyre burimeve, që ky bllok të ristartojë me prodhim gjatë orëve të natës, ose më së largu gjatë mëngjesit të nesërm.

“ Gjithçka rreth remontit tashmë është kryer, pra të gjitha punët rreth riparimit të defektit që largoi për mbi një muaj nga puna këtë njësi prodhuese të rrymës thuaja se është finalizuar dhe deri në orët e mbrëmjes do të finalizohen edhe punët sekondare”, thotë burimi i Buletini Ekonomik, sipas të cilit është thuaja e sigurt që nesër do të ristartojë në prodhim ky bllok.

Siç është informuar publiku shumë herë që nga 14 dhjetori i vjetshëm, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar një kontratë në vlerë 248 mijë e 650 euro për angazhimin edhe të ekspertëve të huaj për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ultë në Njësinë B2 të Termocentralit B. Fituese e kontratës është “GE Steam Poëer Service France Representative Office in Kosovo” dega në Kosovë, me të cilën është nënshkruar kontrata përmes procedurës së negociuar më 23 dhjetor.

Financimi është bërë me mjete vetanake të KEK-ut ndërsa kohëzgjatja e kontratës është përcaktuar të jetë 21 ditë, që do të thotë përafërsisht është përmbushur afati i kryerjes së punëve remontuese sipas kontratës.

Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës është theksuar që KEK-u nuk ka kapacitete teknike dhe ekspertizë profesionale të përballojë këtë avari me forcat e veta, prandaj është i domosdoshëm angazhimi i ekspertëve nga Gjermania të GE, të cilët njëherësh janë prodhuesit e turbinës.

“Blloku B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit shkaku i prishjes nga data 14 dhjetor dhe jemi në proces që ta kthejmë sa më shpejt në operim, mirëpo prishja në turbinë është e natyrës më serioze dhe jemi në kontakt me kompaninë që e prodhon turbinën dhe presim që ta dërgojnë ekspertin e tyre. Presim që të dielën ai ekspert të jetë në KEK ku do të fillojmë me inspektimin e situatës dhe ta shohim sa është gjendja e dëmtimeve. Ekziston një vlerësim preliminar që diku kah data 20 janar B2 të kthehet në operim”, kishte thënë në një konferencë shtypi Nagip Krasniqi, kryeshefi ekzekutiv I KEK-ut, pak ditë pas ndodhjes së defektit në B2-shin e TC Kosova B.

Blloqet e termocentraleve Kosova B, përkatësisht termocentali Kosova B, sado që tashmë është goxha “i moshuar”, ka filluar punën që më 1979, është shumë i rëndësishëm, madje sipas ekspertëve, është qenësor në prodhimin e rrymës për konsumin kosovar. Bashkarisht, të dy blloqet, kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitein në rrjet 260 megavat-orë. Prej nesër konsumit të Kosovës do t’i shtohen 260 megavat-orë energji elektrike, që do të thotë 260 megavat-orë më pak import të shtrenjtë të rrymës. /Buletini Ekonomik/