8 vite pritje për punëtorët e fabrikës së azbestit në Han të Elezit
BKT
Ekonomi

8 vite pritje për punëtorët e fabrikës së azbestit në Han të Elezit

Besian Beha, RTK

Tash e 1 vit, Enver Livoreka është diagnostifikuar me kancer. Shkaktar për këtë, po del se ishte puna 25 vjeçare që Enveri e kreu në fabrikën e azbestit në Han të Elezit. Edhe pse që nga viti 2014 punëtorëve të kësaj kompanie iu mundësohet kompensimi për pasosjat shëndetësore, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Tash e 8 vjet, Enver Livoreka po pret t’i marrë mbi 20 mijë euro që i takojnë. Pa ato, edhe trajtimi i sëmundjes cdo ditë e më shumë po i bëhet i pamundur. "E vështirë o me ia dalë se si japin paret, me i dhanë ato pare na nimon shumë. Atëherë lypi specialist ma t'fortë. Sherri i pareve nuk shkoj te ai i forti. Nuk jom kanë te pluhuri, po elektricist. Ama pluhuri i abzestit rrike sipër", tregon Enveri për RTK. Enveri nuk është i vetmi me problem të tilla. Mbi 250 punëtorë të fabrikës së azbesitt Sallonit në Han të Elezit kanë vdekur nga kanceri. Shumica, pa i marrë mjetet për kohën që kanë punuar në fabrikën, e cila ua mori edhe jetën. Ferat Kuka për mbi 35 vjet ka punuar në këtë fabrikë.

Ai po e fajëson AKP-në, që ende nuk i ka kompensuar punëtorët për pasojat shëndetësore. "Një milion e gjys AKP-ja ka pagu për pastrimin e lumit Lepenc, 800 mijë euro janë dhënë për varrosjen e maqinave, a njeriun nuk e kqyrin nuk ia dhajnë prioritetin. Shpenzimet janë shumë të mëdhaja.

Një ineksion kushton 900 1 mijë euro, ka që janë mbi 1 mijë bile, sa më shumë që zgjatet sëmundja, vec ma shumë kushton" shprehet Kuka. Udhëheqësit e Sindikatës thonë se kolegët e tyre në vendet e rajonit, kanë marrë kompensimin vite më parë. E nëse zgjidhje nuk ka, protestat mbeten opsion. "Zgjidhje po duket se nuk ka, zgjidhja e vetme është me i cit shatorat atje. Njerëzit kanë pas shumë shpenzime, jo që është sëmundje shëruese, por njeriu e lehtëson dhimbjen sadopak me i pas barnat e caktuara" thotë Nafi Daci, kryetar i Sindikatës. Agjencia Kosovare e Privatizimit faktin që punëtorët ende nuk i kanë marrë mjetet, e arsyetojnë me mbi 700 ankesa që janë në Gjykatën Supreme.

“Arsyeja e mos zbatimit te kësaj pagese është numri i madh i ankesave pranë Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme, të cilat nuk janë shqyrtuar ende nga Gjykata. Në këtë moment pamundësia e shpërndarjes së fondeve për kreditorët e Ndërmarrjes Sharr (në likuidim), si për punëtorët ashtu edhe për kreditorët e tjerë, nuk është e një natyre operative apo administrative, por thjesht ligjore”, thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër, edhe pas 10 ditësh pritje, Gjykata Supreme nuk ka kthyer përgjigje në interesimin e RTK-së për këtë cështje. Fabrika e prodhimeve nga azbesti “Salloniti” në Han të Elezit, ishte mbyllur pas luftës me urdhër të UNMIK-ut, sepse materiali prodhues përmbante elemente kancerogjene.


MË SHUME NGA Ekonomi