Pfizer dhe BioNTech fillojnë provat klinike për vaksinën kundër Omicron
Shëndetësi

Pfizer dhe BioNTech fillojnë provat klinike për vaksinën kundër Omicron

Kompanitë e prodhimit të vaksinave Pfizer dhe BioNTech kanë filluar provën klinike për një vaksinë specifike ndaj variantit Omicron të COVID-19.

Studimi do të vlerësojë vaksinën për sigurinë, tolerueshmërinë dhe nivelin e përgjigjes imune, si një seri primare dhe një dozë përforcuese, deri në 1420 të rritur me shëndet të mirë të moshës 18 deri në 55 vjeç, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Studimi është i ndarë në tre grupe: Pjesëmarrësit në grupin e parë kanë marrë dy doza të vaksinës aktuale Pfizer ndaj COVID-19 të paktën 90 deri në 180 ditë përpara studimit. Ata do të marrin një ose dy doza të vaksinës specifike të Omicron.

Pjesëmarrësit në grupin e dytë kanë marrë tre doza të vaksinës aktuale Pfizer ndaj COVID-19 të paktën 90 deri në 180 ditë përpara studimit. Ata do të marrin një dozë të vaksinës aktuale Pfizer ndaj COVID-19 ose vaksinës specifike të Omicron.

Pjesëmarrësit në grupin e tretë nuk kanë marrë asnjë vaksinë kundër COVID-19. Ata do të marrin tre doza të vaksinës specifike të Omicron.

Vaksina specifike për Omicron do të administrohet si një dozë 30 mikrogram, e njëjtë me vaksinën aktuale.

“Ndërsa kërkimet aktuale dhe të dhënat e botës reale tregojnë se përforcuesit vazhdojnë të ofrojnë një nivel të lartë mbrojtjeje kundër sëmundjeve të rënda dhe shtrimit në spital me Omicron, ne e kuptojmë nevojën për të qenë të përgatitur në rast se kjo mbrojtje zbehet me kalimin e kohës dhe për të ndihmuar potencialisht në adresimin e Omicron dhe variante të reja në të ardhmen”, tha në njoftim, nënkryetari i lartë i Pfizer dhe shefja e Kërkimit dhe Zhvillimit të Vaksinave, Kathrin Jansen.