Diskutohet modeli i fiskalizimit për transportuesit e udhëtarëve
Ekonomi

Diskutohet modeli i fiskalizimit për transportuesit e udhëtarëve

ATK dhe Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve diskutojnë nga afër për gjetjen e një modeli për fiskalizim për transportuesit ndërkombëtar dhe sezonal të udhtarëve.

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve shprehet mirënjohëse ndaj Drejtorit të Përgjithshëm dhe Zëvendës Drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, për pritjen në takimin e dytë me Shoqatën, ku edhe njëherë kanë ngritur çështjen e fiskalizimit të sektorit të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve me autobusë.

Gjatë këtij takimi, kërkesa e Shoqatës ndaj Drejtorit të ATK-së ishte një model i fiskalizimit për operatorët ekonomik që kryejnë shërbime të transportit ndërkombëtar dhe transportit sezonal të udhëtarëve me autobusë.

Shoqata ka shprehur shqetësimet për aktivitetet e fundit të ATK-së ndaj operatorëve ekonomik gjatë kontrollave në pikat doganore të Kosovës sa i përket fiskalizimit dhe lëshimit të kuponave fiskal, përderisa operatorët ekonomik të këtij sektori kanë deklaruar të hyrat në bazë të librave të marra në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Për Shoqatën e Transportit Rrugor të Udhëtarëve është e papranueshme shqiptimi i gjobave ndëshkuese nga aksioni i ATK-së në mungesë të kuponave fiskal, për kompanitë të cilat kanë raportime në bazë të listave dhe biletave të shitura dhe të raportuara në Administratën Tatimore të Kosovës sipas praktikave të deritanishme, konform ligjit të transportit.

Në fund të takimit, palët u dakorduan që fiskalizimi i këtij sektori të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur duke i marrë parasysh specifikat e këtij sektori në transportin ndërkombëtar dhe marrëveshjeve bilaterale ndërkombëtare.

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Oda Ekonomike e Kosovës, mbeten të përkushtuara për të dhënë kontributin e vet në Administratën Tatimore të Kosovës, në hartimin e regullativës ligjore për këtë sektor.

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve do të mbaj të informuar të gjithë anëtarët, operatorët ekonomik dhe opinionin.