Shtimjasit po presin me ditë të tëra për kontroll teknik të automjeteve
BKT
Ekonomi

Shtimjasit po presin me ditë të tëra për kontroll teknik të automjeteve

Me ditë të tëra po duhet të presin qytetarët e Shtimes për të kryer kontrollin teknik të automjeteve – njërin nga kriteret ligjore për regjistrimin e tyre.

Kjo si rezultat se atje po punon vetëm njëra nga dy Qendrat e Kontrollit Teknik, Atlas. E edhe kjo që është funksionale e ka të kufizuar me ligj numrin e kontrollimeve.

Qendra tjetër për kontrollim teknik në këtë komunë, “Besi”, aktualisht është jashtë funksionit. Nga kjo kompani kanë treguar arsyen e ndaljes së punës.

“E kemi ndal punën për shkak se kemi problem teknik. Jemi duke punuar që me e rregullu problemin”, thanë nga kjo kompani për “Front Online”.

Qytetarët shtimjanë, sikurse edhe banorët e komunave tjera, e kanë të ndaluar me ligj që shërbimin e njëjtë ta kryejnë dikund tjetër jashtë komunës të cilës i takojnë. Neni 89 i Ligjit për Automjete në Kosovë, pika 3 e tij ua ndalon këtë. Përjashtim bëhet vetëm në ato raste kur në territorin komunal nuk ka subjekte për kontroll teknik dhe pronari i mjetit kontrollin duhet ta bëjë brenda rajonit ku e ka vendbanimin.

Pika 3 e nenit 89, por edhe ajo 2 sipas të cilës nuk mund të licencohet asnjë subjekt i ri apo linjë e re për kontroll teknik nëse mesatarja e numrit të kontrolleve teknike të të gjitha subjekteve për kontroll teknik brenda territorit të një komune nuk ka kaluar katër mijë (4000) kontrolle brenda vitit, po vlerësohen se po shkaktojnë telashet me kontrollet teknike të automjeteve.

Ndryshimin e këtyre pikave, siç kupton Front Online, po e kundërshton Shoqata e Kontrolluesve Teknikë.

Një burim i ka thënë Front Online se mosliberalizimi i tregut në këtë fushë u shkon përshtati oligarkëve siç i ka quajtur ai.

“Kjo vjen si pasojë që ka një pronar i ka 6 qendra. Kanë kriju një lloj monopoli. Nuk po e lejojnë me u hap tregu. S`ka të drejtë një banor i Shtimes të shkojë në Ferizaj. Problemi është te Shoqata e Kontrolluesve Teknikë që nuk lejojnë me u hap tregu”, i tha ky burim “Front Online”-it.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte reaguar për këtë situatë.

Ky organ kishte thënë më 2017 se është i papranueshëm mosliberalizimi i tregut.

“Autoriteti, sugjeron se çdo kufizim ligjor apo faktik i numrit të operatorëve të cilët janë potencial për tu angazhuar në një veprimtari në një treg të caktuar (numerus clausus) është e pa dëshirueshme me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, që konkurrentët/operatorët të mos kufizohen nëpërmjet kushteve dhe kritereve, sepse për të pasur konkurrencë të mirëfilltë duhet që të ketë më shumë konkurrentë në tregun relevant”, thuhej në mendimin profesional të AKK-së.

Ndryshimi i këtij neni, njëherit liberalizimi i tregut për kontrollet teknike, është në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, institucion ky që miraton/plotëson ligjet. Deri tash nuk është ndërmarrë asgjë.

Pamundësia për shërbim të shpejtë për kontrollimin teknik, shtimjanjëve po u nxjerr një telashe të re.

Ata nuk po munden të regjistrojnë policat e sigurimeve brenda afatit ligjor pesë ditësh në Qendrën e Regjistrimit.

Shkaku i skadencës, qytetarët e kthejnë policën e parë, i marrin paratë e dhëna dhe me to e blejnë prapë një policë të re.

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku tha se ka kërkuar që të zgjatet afati i vlefshmërisë së policës.

“Nga 5 në 15 ditë. Ka kalu si draft. Por, nuk është nënshkruar akoma udhëzimi nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Te ne kthimi i policave shkakton telashe, vështirësi, humbje financiare, se duhet me anulu, me ua kthy paret qytetarëve dhe duhet të bëhet një polic tjetër e re”, tregoi Mazreku për “Front Online”.


MË SHUME NGA Ekonomi