Vlera e kredive të garantuara ka arritur në 105.5 milionë euro
Bankat arritën të implementojnë 90% të limiteve të lejuara për garantimin e kredive nga programi i rimëkëmbjes ekonomike.
Pandemia COVID-19 ka ndikuar negativisht në ekonominë e vendit, ashtu si në çdo vend tjetër të botës, duke shkaktuar një ulje të likuiditetit të Ndërmarrjeve të Vogla, të Mesme dhe Mikro (NVM) pavarësisht aktivitetit.
Programi për Rimëkëmbje Ekonomike e cila ofron stimuj për qasje në financa për (NVM) në kuadër të Marrëveshjes për Dritaret Garantuese, ka dhënë rezultate pozitive në ekonominë e Kosovës.
Në kuadër të dritareve që ishin pjesë e PRE-së, janë garantuar; 2,015 kredi, për 1,732 ndërmarrje private.
Ndërsa vlera e kredive të garantuara ka arritur në EUR 105.5 mil, mbuluar nga vlera e garancive kreditore prej EUR 74.9 mil.
Me këtë rast Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) organizoi tryezën “Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike Rezultati dhe Impakti” dhe prezantoi rezultatet e PRE-së.
Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija në fjalën e tij theksoi se: “Përmes skemave garantuese, sektori bankar ka arritur të kreditojë segmente të ndjeshme të ekonomisë të cilat kanë pasur nevojë për likuiditet dhe investime për qasje më të lehtë në financa”.
Folës të tjerë në këtë takim ishin: Besnik Berisha - Kryeshef Ekzekutiv, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), Nora Arifi - Menaxhere e Lartë për Garanci Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), Ahmet Ismajli - Drejtor Gjeneral Thesari i Kosovës , Blerim Terziqi - Këshilltar i Lartë i Guvernatorit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.























