Diskutohet decentralizimi financiar i Kompanisë `Pastërtia` në Kaçanik
Në një takim bashkëpunues mes mekanizmave relevant, u diskutuan mundësitë e decentralizimit financiar të Kompanisë Regjionale për Menaxhimin e Mbeturinave “ Pastërtia” njësia në Kaçanik.
Në një takim bashkëpunues zhvilluar me drejtorin e Shërbimeve Publike nga komuna e Kaçanikut Ramadush Osmani, kryeshefin ekzekutiv të KRM “Ambienti” Nexhat Abdullahi njëherësh kryesues i Bordit të Drejtorëve të PAMKOS, kryeshefin ekzekutiv të KRM “Pastërtia” Basri Syla, zyrtarin financiar Armend Ramusholli dhe Asociacionit PAMKOS përfaqësuar nga Merlina Muçaj, janë diskutuar proceset prioritare të cilat duhet të ndërmerren nga ana e KRM “Pastërtia” dhe njësisë së saj në Kaçanik, në rast të decentralizimit financiar të njësisë operative në Kaçanik.
Drejtori Ramadush Osmani, tha se decentralizimi financiar për njësinë në Kaçanik, ka një rëndësi të madhe për realizimin sa më të mirë të objektivave që kanë për qëllim menaxhimin e mbeturinave si dhe mirëmbajtje të ambientit në përgjithësi.
Asociacioni PAMKOS ka për synim përmbushjen e qëllimeve strategjike të saj me qëllim krijimin e një platforme gjithëpërfshirëse për kompanitë anëtare, si dhe të realizojë përmirësimin e efektshmërisë së shërbimit dhe rritjen e performancës së kompanive rajonale për një mjedis më të pastër nëpër komuna.























