Kroacia pranon si monedhë zyrtare euron, por me motive të vendit
Kroacia së shpejti do të bëhet shteti më i ri evropian që si monedhë shtetërore ta ketë Euron, duke e zëvendësuar Kunën.
Plani Kombëtar për Shkëmbimin e Kunës Kroate me Euron, i miratuar nga Qeveria e Kroacisë parasheh përzgjedhjen e motiveve dhe dizajnin e tyre grafik për anën kombëtare të monedhave euro, raporton index.hr.
Ndryshe nga kartëmonedhat euro, të cilat janë të njëjta tek të gjithë anëtarët e eurozonës, monedha euro dhe cent bartin informacion nga vendi emetues dhe tregon simbolet kombëtare të vendit në anën e pasme.
Prandaj, pjesa e pasme e monedhës quhet edhe ana kombëtare e një vendi. Monedhat euro të emetuara në Kroaci, të cilat do të jenë së shpejti në qarkullim, do të jenë njësoj të vlefshme në të gjitha vendet e eurozonës.
“Për këtë arsye zgjedhja e motiveve është veçanërisht e rëndësishme sepse monedhat me motive që simbolizojnë Kroacinë do të përdoren jashtë kufijve të saj. Duke pasur parasysh kompleksitetin e prodhimit të monedhave, tashmë kanë filluar aktivitetet përgatitore”, njoftoi qeveria kroate.























