`Pastrimi` është duke u përballur me vështirësi financiare
BKT
Ekonomi

`Pastrimi` është duke u përballur me vështirësi financiare

Albulena Bytyqi, Radio Kosova

Kompania për grumbullimin e  mbeturinave “Pastrimi” është duke u përballur me vështirësi financiare shkaku i borxhit që kanë qytetarët ndaj kësaj kompanie.

Zëdhënësja Arbnora Ademi, i tha Radio Kosovës se aktualisht borxhi i akumuluar ndaj Kompanisë “Pastrimi” është rreth 20  milionë euro. Ajo u bëri  thirrje qytetarëve borxhlinj që t’i kryejnë obligimet e tyre. 

Kompania “Pastrimi”, e cila merret me grumbullimin, largimin dhe transportimin e mbeturinave, që këtë shërbim përveç Komunën e Prishtinës, e mbulon edhe Fushë Kosovën , Obiliqin, Drenasin, Lipjanin dhe Podujevën, që nga paslufta po përballet me shkallë të ulët të inkasimit të faturave. Shuma e borxhit ka arritur në rreth 20 milionë euro. Zyrtarja për Informim, Arbnora Ademi, i tha Radio Kosovës së ky borxh është akumuluar ndër vite. 
   
"Borxhi i gjithë klientëve që kanë ndaj Kompanisë “Pastrimi” nga 6 komunat ku operojmë, është afro 20 milionë euro. Ky është një borxh shumë i madh për ne si kompani dhe kjo sigurisht se është akumuluar ndër vite nga mospagesa apo mos kryerja e obligimeve të qytetarëve.", tha ajo.


Ademi tutje thotë se nuk kanë ndonjë mekanizëm kushtëzimi sikur ndërmarrjet e tjera për klientët te cilët nuk kryejnë pagesa, përveç dërgimit te lëndëve te përmbaruesi privat.

Ajo tha rreth 40 mijë lëndë tashmë janë dërguar të përmbaruesi por vetëm 25 % prej tyre janë  ekzekutuar.


"Kemi dërguar afro 40 mije lëndë te përmbaruesi privat por që  shumë pak prej tyre, apo vetëm  25%  të këtyre lëndeve, janë ekzekutuar, që nuk është një numër i kënaqshëm për kompaninë tonë. Mirëpo këto janë çështje të përmbaruesve dhe institucioneve që neve nuk na takojnë të japim një përgjigje konkrete", tha ajo.


Ademi ka përmendur edhe faktin që një numër i amvisërive nuk është futur ende në listat e faturimit, dhe kjo, sipas saj, ndikon ne gjendjen e të hyrave në këtë kompani.

Prandaj,  Ademi u bënë thirrje gjithë qytetarëve, klientëve të amvisërisë, bizneseve dhe institucioneve që të kryejnë obligimet e tyre duke bërë pagesat e faturave të  mbeturinave, në mënyrë që kompania të jetë në gjendje të ofrojë shërbime më cilësore për qytetarin.

 


MË SHUME NGA Ekonomi