Rriten kostot e huamarrjes për qeveritë e vendeve jugore të Eurozonës
Kostot e huamarrjes për qeveritë e vendeve jugore të Eurozonës u rritën ndjeshëm ditën e hënë, duke iu afruar niveleve para fillimit të pandemisë, ndërsa investitorët u përshtatën me shenjat se Banka Qendrore Europiane (BQE) mund të rrisë normat e interesit që këtë vit, në përgjigje të valës globale të inflacionit.
Për disa muaj, BQE-ja është treguar e kujdesshme në lidhje me mundësinë e rritjes së normave të interesit, duke premtuar se do të mbante kushtet e favorshme të financimit derisa ekonomia e eurozonës të rimëkëmbej nga pandemia dhe deri në momentin që ajo do të ishte e sigurt se inflacioni do të rikthehej në objektivin e saj prej 2 për qind në planin afatmesëm.
Por, presidentja Christine Lagarde sinjalizoi një ndryshim të kësaj politike ditën e enjte, duke refuzuar të përjashtojë mundësinë e rritjes së normave të interesit që këtë vit – gjë të cilën e kishte bërë vetëm pak javë më parë – dhe duke theksuar “shqetësimin unanim” të këshillit drejtues të BQE-së për shifrën rekord të inflacionit në eurozonë prej 5.1 për qind në muajin janar.
Gjatë fundjavës, Klaas Knot, kreu i bankës qendrore holandeze, u bë anëtari i parë i këshillit të BQE-së që tha publikisht se duhet të ketë një rritje të normave të interesit që këtë vit, duke paralajmëruar se inflacioni në eurozonë do të mbetet në shifrën 4 për qind për pjesën më të madhe të këtij viti. Ai bëri thirrje që BQE-ja t’i japë fund blerjeve neto të obligacioneve “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe të përgatitet për të rritur normat e interesit në tremujorin e katërt.
Rënia në çmimet e bonove të Eurozonës e rriti yield-in e obligacioneve 10-vjeçare italiane me 0.1 pikë përqindjeje, duke e ҫuar atë në 1.84 për qind – shifër që përkon me nivelet e arritura në prill të vitit 2020, menjëherë pas goditjes së pandemisë të koronavirusit.
Diferenca midis kostove të huamarrjes 10-vjeçare në Itali dhe të atyre në Gjermani – një indikator kryesor i matjes së luhatjeve në tregjet e obligacioneve të eurozonës – u rrit në 1.63 pikë përqindjeje, niveli më i lartë që nga korriku i vitit 2020.
Rënia ishte edhe më e madhe tek obligacionet 10-vjeçare greke, pasi yield-i i tyre u rrit me 0.3 pikë përqindje duke shkuar në 2.55 për qind – niveli më i lartë që nga qershori i vitit 2019. Presioni i shitjeve ishte shumë i madh dhe yield-et 10-vjeçare spanjolle u rritën mbi 1.1 për qind për herë të parë në gati tri vite.
Analistët thanë se tregu i bonove po përshtatej me mundësinë e shtuar që BQE-ja t’i japë fund blerjes së aktiveve neto në muajt e ardhshëm, duke hapur kështu rrugën për rritjen e parë të normës së interesit në më shumë se një dekadë.
“Jemi në fund të një periudhe me norma negative – edhe yield-et e obligacioneve greke u bënë negative vitin e kaluar – dhe po shohim një ripozicionim të tregut”, tha Carsten Brzeski, kreu i kërkimeve makroekonomike në ING.
Megjithatë, Brzeski tha se investitorët duket që “kanë shkuar plotësisht në ekstremin tjetër” pasi po i vendosin çmimet duke pritur një rritje të normës së BQE-së që në qershor, ndërsa periudha më e afërt që ai mund të imagjinonte për një ndryshim të tillë ishte shtatori.
Por, shitjet e borxhit të Italisë, Greqisë dhe Spanjës u lehtësuan më vonë gjatë ditës, pasi Lagarde minimizoi shanset e një ndryshimi të papritur në politikën e BQE-së duke thënë se “nuk ishte nevoja për t’u ngutur për të dalë në konkluzione të parakohshme në këtë ҫast, pasi perspektiva është shumë e pasigurt”.
Duke folur në Parlamentin Europian, ajo shtoi: “Janë rritur mundësitë që inflacioni të stabilizohet duke shkuar në objektivin tonë, por nuk ka sinjale se ai do të jetë mbi këtë objektivin në mënyrë të vazhdueshme dhe në përmasa të konsiderueshme në planin afatmesëm, gjë që do të sillte nevojën për një shtrëngim të politikës monetare”.
Yield-i i obligacionit 10-vjeçar të qeverisë italiane arriti nivelin 1.78 për qind. Yield-i ekuivalent grek qëndroi në shifrën 2.45 për qind, ndërsa yield-i 10-vjeçar në Spanjë ra nën 1.1 për qind. / Financial Times























