Banka Qendrore e Kroacisë rrit parashikimin e inflacionit
BKT
Ekonomi

Banka Qendrore e Kroacisë rrit parashikimin e inflacionit

Banka Qendrore e Kroacisë ka rritur parashikimin e inflacionit për vitin 2022 në 3.5-4% nga 2.4% që parashikohej fillimisht, pasi shifrat për dy muajt e fundit të vitit të kaluar dolën më të larta se sa pritej.

Parashikimi i ri bazohet në supozimin e rritjes prej 10 deri në 30% të çmimeve të gazit natyror dhe rritjes prej 5 deri në 15% të çmimeve të energjisë elektrike, ndërsa inflacioni pritet të qetësohet deri në fund të vitit.

Megjithatë, ka edhe faktorë të tjerë që mund të nxisin inflacionin, si rritja më e fortë e konsumit personal dhe e pagave, një rritje e re e çmimeve globale të naftës bruto dhe lëndëve të tjera të para dhe inflacioni më i lartë sesa parashikohej, në partnerët kryesorë tregtarë të Kroacisë.

Inflacioni mesatar vjetor i çmimeve të konsumit në Kroaci, u rrit në 2.6% vitin e kaluar, nga 0.1% në vitin 2020, tha të hënën Zyra Kombëtare e Statistikave. Vetëm në dhjetor, inflacioni u rrit në 5.5% në bazë vjetore, krahasuar me 4.8% në nëntor.

Muajin e kaluar, Banka Qendrore njoftoi se parashikon një inflacion mesatar vjetor prej 2.4% për vitin 2021 dhe afërsisht të njëjtën normë për vitin 2022.

Më herët, qeveria tha se rriti parashikimin e saj mesatar vjetor të inflacionit për këtë vit në 3.5%, nga 2.6% i parashikuar në projektligjin e buxhetit, për të reflektuar një rritje të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë.

Kroacia ka parashikuar të kalojë në monedhën Euro që nga 1 janari 2023 dhe rritja e inflacionit mund t’i rrezikojë këto plane. Një nga kriteret e konvergjencës për t’u bashkuar me Eurozonën, kërkon që vendi kandidat të ketë inflacion mesatar jo më të lartë se 1.5 pikë përqindje mbi normën e tre shteteve anëtare me performancën më të mirë.

Vitin e kaluar, norma e inflacionit në Eurozonë po rritej me një ritëm të ngjashëm me atë të Kroacisë, por rimëkëmbja ekonomike nuk evoluon në mënyrë identike dhe nuk po ndodh njëlloj në të gjitha vendet e BE-së, dhe për këtë arsye divergjenca e normave të inflacionit midis vendeve anëtare të BE-së, po bëhet më e gjerë, tha Banka Qendrore.

“Për këtë arsye, ka shumë mundësi që do të duhet të presim deri në maj, kur të dhënat e inflacionit të çdo shteti anëtar të BE-së do të jenë të disponueshme dhe kur Komisioni Europian të përcaktojë tre vendet me treguesit më të mirë të inflacionit”, njofton Banka Qendrore e Kroacisë.


MË SHUME NGA Ekonomi