Rritet dukshëm konsumi i antibiotikëve gjatë pandemisë në Kosovë
Ariana Kasapolli
Përdorimi i shpeshtë, e në disa raste i panevojshëm i antibiotikëve, sipas profesionistëve shëndetësorë, ka bërë që rezistenca ndaj tyre të konsiderohet si sfida kryesore globale e shëndetësisë në shekullin XXI.
Vetëm gjatë vitit 2020, pra në kohë pandemie, konsumi i ‘azitromicinës’ u rrit për 7 herë, kurse në kujdesin spitalor përshkrimi i ‘imipenemit’ pati rritje për 12 herë krahasuar me periudhën para pandemisë. Kështu tha Lul Raka, mikrobiolog, njëherësh koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Ai shpjegoi për Radio Kosovën se keqpërdorimi i antibiotikëve dhe rezistenca ndaj tyre është problem edhe për shëndetësinë kosovare me shifrat e konsumit dhe të rezistencës që janë ndër më të lartat në Evropë.
"Njëra prej pikave kyçe është edhe Programi i Kujdestarisë së Antibiotikëve, i cili është zyrtarizuar në ShSKUK në qershor të vitit 2021. Në fushën e kërkimeve shkencore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar janë shënuar po ashtu rezultate solide përmes publikimeve në revista prestigjioze shkencore’’tha ai.
Një nga problemet e shumta në vend është edhe blerja e barnave pa recetën e mjekut. Ndërkohë Kosova ka ligj që e ndalon blerjen e barnave pa recetë, por ky ligj nuk është zbatuar asnjëherë. Naim Morina, farmacist, i tha Radio Kosovës se sektori farmaceutik është vetëdijesuar kohët e fundit dhe nuk shesin antibiotikë pa recetë. Por ai tha se ka kërkesa dhe ka raste kur këto ilaçe jepen edhe pa recetë.
’’Në kohën e pandemisë në pamundësi që të kenë kontakte me mjekë ka pasur raste kur u kanë shkruar në viber dhe ne i kemi shitur. Por në përgjithësi pa përshkrim ne nuk po i shesim, por as pacientët nuk po i kërkojnë siç ka qenë situata më herët. Mendoj se qytetarët janë vetëdijesuar për efektet anësore që kanë antibiotikët’’, tha ai.
Sidoqoftë sfida më e madhe shëndetësore globale e lokale në dy vitet e fundit ishte padyshim COVID-19, qe veproi si katalizator i përhapjes së shpejtë të rezistencës antimikrobike për shkak të përdorimit enorm të antibiotikëve në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, madje edhe në rastet a-simptomatike dhe ato të lehta të sëmundjes.























