QKMF në Han të Elezit mbetet pa mjek të mjekësisë familjare
Rreth 10 mijë qytetarë të Hanit të Elezit do ta kenë problem marrjen e shërbimeve mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare atje.
Krejt kjo situatë u krijua pasi Njazi Lumës, Drejtoria e Shëndetësisë nuk ia vazhdoi kontratën në pozitën e drejtorit të këtij institucioni.
Drejtoresha e Shëndetësisë, Kimete Kuka pohon se ish-drejtori Njazi Luma keqmenaxhoi me Qendrën e Mjekësisë Familjare.
“Nuk është mirëmenaxhuar puna nga drejtori. Ka pasur probleme të shumta në QKMF që nuk janë menaxhuar. Unë si drejtoreshë kur kam filluar i kam parë problemet: ka qenë një depo e barnave të skaduara që nga 2012-ta dhe nuk është marrë asnjë veprimi”, ka theksuar Kimete Kuka, drejtoreshë e Shëndetësisë në Hanin e Elezit.
Ky i fundit e mohon. Ai thotë se në vendimin e lëshuar nga komuna, nuk qëndron ky arsyetim.
“Arsyeja ka qenë për shkak të skadimit të kontratës, e jo për shkak të menaxhimit që drejtoresha për shëndetësi komunale po deklaron”, ka theksuar Njazi Luma, ish-drejtor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Han të Elezit.
Rrjedhimisht, ky institucion shëndetësor ka mbetur me një mjek e me pak infermierë, si dhe me një shofer të emergjencës, për çka ndodh që shpesh, infermierët të kryejnë punën e shoferit.
Lindita Rexhallari është emëruar ushtruese e detyrës së drejtorit të Qendrës së Mjekësisë Familjare, por njëkohësisht ajo kryen edhe punën e mjekes, pasi nuk ka kush.
“Momentalisht jam vetëm unë. Problemi është se e kemi edhe shërbimin urgjent primar dhe mjekët të cilët janë pranuar këtu i kemi angazhuar për të ofruar shërbim te shërbimi urgjent primar. Në momentin që janë angazhuar atje, unë automatikisht kam mbetur pa mjekë në mjekësinë familjare”, ka thënë Lindita Rexhallari, UD drejtoreshë e QKMF-së në Han të Elezit.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se është kompetencë e komunave për rekrutim të stafit, duke kujtuar se ata u kanë ndihmuar gjatë pandemisë me mjekë. Derisa të shpallet konkursi për pranimin e mjekëve dhe infermierëve të rinj, qytetarët e Hanit të Elezit, në shërbimin e tyre kanë vetëm një mjek.























