Llabjani: Në Britani të Madhe janë dy mijë biznese shqiptare
RTKlive
Artan Llabjani themelues dhe drejtor i Odës Ekonomike Britaneze në Kosovë, tha se Kosova dhe Britania nuk janë shumë larg dhe mund të kenë bashkëpunim në shumë fusha.
“Kjo Odë e ka bazën në Londër, Oda Ekonomike Britaniko-Kosovare (“BKCC”) është një organizatë jofitimprurëse e anëtarësimit me qëllim që të nxisë lidhje të forta biznesi ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Ai bëri me dije se në Britani janë dy mijë biznese shqiptare. “Pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, duhet marrëveshje me secilin shtet”, tha ai.
Llabjani deklaroi se fushat që janë më shumë të orientuar shqiptarët në Britani të Madhe janë ndërtimtaria dhe gastronomia.
Por një rëndësi të madhe në njohjen e Kosovës, sipas themeluesit të Odës Ekonomike Britaneze në Kosovë,janë dy ikonat e kulturës, Dua Lipa, Rita Ora, por edhe të tjerë.
Sipas tij edhe vizita e sotme e deputetit të Parlamentit të Britanisë së Madhe, njëherësh të dërguarin e kryeministrit për tregti në Ballkan Perëndimor, Martin Vickers, që po i bënë Kosovës është tregues se Britania ka qëllim të rritë bashkëpunimin ekonomik me shtetet e Ballkanit Perëndimor, në këtë rast edhe me Kosovën.























