Banka Botërore:Vendet në zhvillim po përballen me rritje të rreziqeve
Vendet në zhvillim po përballen me rritje të rreziqeve nga brishtësia financiare e krijuar nga kriza e COVID-19 dhe borxhi jotransparent, thuhet në një raport të ri të Bankës Botërore, Raporti i Zhvillimit Botëror (WDR) 2022.
Sipas raportit, në një kohë kur rritja e inflacionit dhe e normave të interesit po shtojnë sfidat për rimëkëmbjen, vendet në zhvillim duhet të fokusohen në krijimin e sektorëve financiarë më të shëndetshëm.
“Rreziku është se kriza ekonomike e inflacionit dhe normave të larta të interesit rrezikon të përhapet për shkak të brishtësisë financiare. Kushtet më të shtrënguara globale financiare dhe tregjet e cekëta të borxhit të brendshëm në shumë vende në zhvillim po largojnë investimet private dhe po dobësojnë rimëkëmbjen ekonomike”, ka thënë Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass. “Është shumë e rëndësishme të punohet drejt qasjes me bazë të gjerë në kredi dhe alokimit të kapitalit të orientuar drejt rritjes ekonomike. Kjo do t'u jepte mundësi firmave më të vogla dhe më dinamike - si dhe sektorëve me potencial më të lartë rritjeje - të investojnë dhe të krijojnë vende pune”, ka shtuar ai.























