Millaku: Qeveria të gjejë rrugë për ndaljen e largimit të punëtorëve
Vitet e fundit ka një trend të largimit të punëtorëve të kualifikuar për vendet e evropiane. Kjo dukuri ka prekur jo vetëm Kosovën, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Vetëm për Gjermani për dy muaj mbi 100 mijë persona nga Kosova kanë aplikuar për termine për viza pune.
Afaristi Ragip Millaku në emisionin ‘Aktual’ në RTK tha se është bërë fenomen ikja e njerëzve të kualifikuar nga Kosova dhe se Qeveria duhet të përdor metoda që do ta sensibilizonin masën të qëndrojnë në vendin tonë.
“Qeveria e Kosovës duhet të përdor mjete dhe rrugë që do ta sensibilizonin masën që është më mirë të qëndrojnë në Kosovë. Se është bërë fenomen ikja e njerëzve të kualifikuar është realitet, se pse ndodhë kjo sigurisht që i ka zënë në gjumë jo vetëm Qeverinë por edhe shoqërinë civile, edhe të gjithë neve për arsye se ky fenomen ka filluar të bëhet shumë dukuri gjithëpërfshirëse pasiqë pa e ditur, apo pa e pasur një situacion se çfarë do të ndodhë kur të shkojnë në një vend tjetër ata vetëm marrin rrugë drejt një vendi ku nuk e dinë se si kanë me operu atje”, tha afaristi Millaku.
Poashtu, ai tha se më e keqja e kësaj punë është që njerëzit po ikin për shkak të mos dijes se çfarë do të ndodhë në të ardhmen për shkak të problematikave të ndryshme politike, si dhe faktorëve të tjerë.
“Unë mendoj se më shumë është një lloj fenomeni apo perceptim që jeta në botën e jashtme është më e mirë se këtu, kështu që nuk do ta pranoj në asnjë moment edhe pse unë në mesin e stafit gjatë tri viteve kam pasur shumë raste kur një pjesë e njerëzve e kanë lënë vendin pa pasur arsye. Më e keqja e kësaj punë është që njerëzit po ikin për shkak të mos dijes së çfarë do të ndodhë në të ardhmen për shkak të problematikave të ndryshme politike, për shkak të një lloj situate psikik që po ndodhin në mesin e njerëve si dhe shumë faktorëve të tjerë”.
Millaku tha ikja është një fenomen i turmës jo individual.























