Kosova ka mundësi për zhvillim të sektorit të energjisë së ripërtëritshme
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare organizoi punëtorinë me Rrjetin e Bizneseve për Energji të Pastër (N4CEB) ku u diskutua për sfidat dhe mundësitë e sektorit të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), KOSTT-it, KEDS-it si dhe përfaqësues nga Rrjeti N4CEB, të shoqërisë civile dhe ekspert të fushës së energjisë.
Në fjalën e saj hapëse, znj. Sytrime Dervisholli nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare theksoi rëndësinë që OEGJK i kushton avancimit të investimeve në burimet e ripërtëritshme dhe shfrytëzoi nga rasti të prezantoj edhe Rrjetin e Bizneseve për Energji të Pastër përfshirë misionin dhe objektivat e tij. Nga Ministria e Ekonomisë z. Sabit Gashi paraqiti prioritetet dhe stadin e zhvillimit të politikave të fushës së energjisë. “Jemi në një fazë gjithëpërfshirëse të rishikimit të të gjithë legjislacionit në fushën e energjisë dhe është përkushtim i Ministres që të kemi përcaktime mirë të kalkuluara dhe të zbatueshme për sektorin” – theksoi ai.
Nga ana tjetër, Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së z. Ymer Fejzullahu foli për rëndësinë që ka balancimi i nevojave dhe interesave të palëve në sektorin e energjisë së ripërtrishme. “Jemi shumë të interesuar t’i përkrahim dhe shtyjmë përpara investimet dhe projektet në këtë sektor dhe ZRRE po punon përtej kapaciteteve për të lëshuar licenca në kohë rekorde për investimet në burime të ripërtrishme” – theksoi z. Fejzullahu.
Nga perspektiva e transmisionit, z. Kadri Kadriu, U.D Kryeshef i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) informoi të pranishmit me kapacitetet absorbuese të rrjetit të transmisionit dhe përpjekjet e KOSTT-it për të përkrahur energjinë nga burimet e ripërtëritshme. “Sfidat ekzistojnë dhe si institucione shpesh herë përballemi me zgjedhjen nëse duhet të përkrahim zhvillimin e tregut konkurrues apo të garantojmë investimet dhe mendoj që sfida të tilla kemi shansin t’i adresojmë bashkarisht” tha ai.
Në një fjalë hyrëse prezantoi edhe z. Sabri Tërnava nga KEDS/KESCO i cili foli për sfidat dhe mundësitë në nivel të distribucionit për kyçje të sa më shumë kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme.
Pjesëmarrësit nga sektori i biznesit dhe shoqërisë civile shfaqën shqetësimin me disa nga barrierat aktuale ligjore dhe rregullative. Në planin strategjik, të pranishmit u dakorduan që miratimi i Strategjisë së re të Energjisë, Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë dhe Ligjit të veçantë për Burimet e Ripërtëritshme do t’i ofrojnë një qartësi më të madhe sektorit të burimeve të ripërtëritshme. U kërkua që në këtë proces, përfshirja e sektorit privat dhe shoqërisë civile të jetë në çdo fazë dhe konsultimet të jenë kualitative dhe gjithëpërfshirëse.
U kërkua gjithashtu që skema mbështetëse për konsumatorët vet-prodhues të reformohet ashtu që të lehtësohen kufizimet teknike dhe të kapacitetit. Gjithashtu, u rekomandua edhe kalimi nga sistemi “net-metering” i kompensimit të konsumatorëve me vet-prodhim në sistemin “net-billing”. Në fund, u kërkua më shumë punë që komunat të harmonizojnë pëlqimet për investime në Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe kapacitetet e institucioneve të fuqizohen në përgjithësi.
Pjesëmarrësit u pajtuan që vetëm duke nxitur dhe vazhduar dialogun shoqëror dhe komunikimin institucione-biznese dhe shoqëri civile mund të trasohet suksesshëm rruga e tranzicionit të energjisë. Burimet e ripërtëritshme janë baza e këtij tranzicioni dhe zhvillimi i tyre hapë perspektiva edhe të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare do të vazhdoj të jetë përkrah sektorit biznesor dhe komunitetit investues në vend për të përkrahur tranzicionin dhe për të lehtësuar dialogun drejtë një të ardhme të gjelbër.























