Gërxhaliu: Lufta në Ukrainë me efekt edhe tek tregjet financiare
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha për Radio Kosovën se nëse rritet çmimi i naftës, atëherë pritet të ketë ngritje të çmimeve edhe të disa produkteve të tjera bujqësore.
“Brenga më e madhe është se çfarë do të ndodhë me fatin e tregjeve financiare në botë, sepse kjo është një tronditje dhe vetëm të enjten patëm një rënie të kapitalit në këto bursa deri në 30 për qind. Është shqetësimi më i madhi që duhet të na brengosë. Ka banka kosovare komerciale që kanë kapitalin e investuar në fondet e ndryshme. Një pjesë e parave të Trustit Pensional është në këto fonde aktive dhe e tëra kjo është një brengë e madhe që duhet të mendohet se ku duhet të investohet dhe të kalkulojmë riskun, e në këtë drejtim të mos dëmtohet qytetari i Kosovës”, tha ai.























