Pushtimi i Ukrainës – Dita 6
Përmbledhje: Ukraina

Pushtimi i Ukrainës – Dita 6

Në ditën e gjashtë të sulmit, ushtria ruse ka vazhduar avancimin e saj të qëndrueshëm në Kiev, me imazhe satelitore që tregojnë një kolonë të blinduar, që duket të jetë rreth 65 km e gjatë.

23:16 I Mbrojtja ajrore e Ukrainës në epërsi ndaj asaj ruse

Pentagoni ka bërë vlerësimin e fundit të pushtimit rus, duke theksuar një epërsi të ndjeshme të forcave ajrore të Ukrainës ndaj atyre ruse.

Sipas analizës së ushtrisë amerikane eksiton një moral i ulët në mesin e disa segmenteve të forcës ajrore ruse që edhe pas gjashtë ditës sulmesh ende nuk kanë arritur të vendosin epërsi ajrore ndaj asaj të Ukrainës. Sipas vlerësimeve të Pentagonit, Rusia ka hedhur rreth 400 raketa, por sistemi ukrainas i mbrojtjes kundër-ajrore mbetet efektiv.
  Gjithashtu raportohet se lëshuesit që mund të përdoren për armë termo-barike janë parë brenda Ukrainës, por inteligjenca amerikane nuk ka mundur të konfirmojë nëse ndonjë  nga armë termo-barike është brenda vendit.
    Rreth 80% e trupave ruse që kishin rrethuar Ukrainën tani janë brenda ish republikës sovjetike dhe ka të dhëna se disa njësive ruse po u mbaron ushqimi dhe karburanti.

 

18: 31 | Zelenskiy: Rusia duhet të ndalë sulmet para bisedimeve për armëpushim

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy ka thënë sot se Rusia duhet të ndalë bombardimin e qyteteve të Ukrainës, para se të mund të fillojnë bisedimet e njëmendta për armëpushim, pasi raundi i parë i negociatave i kësaj jave nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Duke folur në një intervistë për Reuters në një ndërtesë qeveritare me përforcime të mëdha sigurie, Zelenskiy i bëri thirrje vendeve të NATO-s, të vendos zonën e ndaluar të fluturimeve për të frenuar avancimin e forcës ajrore ruse. Ai ka thënë se kjo do të ishte një masë parandaluese  dhe nuk nënkupton se kjo e nxit aleancën drejt luftës me Rusinë.

Zelenskiy, që ka refuzuar largimin nga kryeqyteti i Ukrainës në kohën kur trupat ruse po avancojnë drejt Kievit,  gjithashtu tha se Ukraina do të kërkonte garanci sigurie ligjërisht të detyrueshme nëse NATO mbyll derën për anëtarësimin e Ukrainës.

18:00 I Sulm vdekjeprurës në kullën televizive në Kiev

Të paktën pesë persona raportohet të jenë vrarë nga një sulm rus  në kullën e transmetuesve televiziv në Kiev, duke goditur objektet e transmetimit aty pranë, thonë zyrtarët ukrainas

Sulmi erdhi  pasi më herët ministria ruse e mbrojtjes paralajmëroi banorët e kryeqytetit ukrainas,  Kiev se po përgatitet të godas objektiva të tjera në kryeqytet.

Gjithashtu është bërë e ditur raketat ruse kanë goditur edhe qendrën kulturore të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës Kharkiv, në atë që zyrtarët thanë se ishte një sulm vdekjeprurës dhe "mizor". Të paktën 10 persona u vranë dhe 35 të tjerë u plagosën, thanë autoritetet lokale. Sulmi erdhi pasi presidenti i Ukrainës tha se Rusia po kryente krime lufte dhe se ky është çmimi i lirisë.
Sipas ministrisë Ukrainase të mbrojtjes, deri me tani, më shumë se 5 700 ushtarë rus janë vrarë në luftime përderisa janë shkatërruar dhjetëra aeroplanë dhe helikopterë si dhe qindra tanke, autoblinda dhe automjete tjera Ruse.
Edhe Ukraina ka njoftuar për humbjet e veta të para të mëdha, së paku 70 ushtarë janë vrarë si pasojë e sulmeve Ruse në një Kazermë në rajonin e Kharkivit.
Ndërkohë një autokolonë e madhe ushtarake ruse, e gjatë rreth 65 kilometra, po i afrohet  kryeqytetit të Ukrainës.

17:48 | Goditet kulla televizive në Kiev

Forcat ruse mësohet se kanë goditur kullën e antenave televizive në Kiev. Pamjet e BBC tregojnë një shtëllungë të madhe tymi që ka përfshirë kullën pasi një sulm shkatërroi infrastrukturën e transmetimit televiziv në Kiev.

Më herët, ministria ruse e mbrojtjes paralajmëroi banorët e kryeqytetit ukrainas,  Kiev se po përgatitet të godas objektiva të tjera në kryeqytet.

Ndërkohë një autokolonë e madhe ushtarake ruse, e gjatë rreth 65 kilometra, po i afrohet  kryeqytetit të Ukrainës.

 

16:16 | Rusia paralajmëron caqe të reja sulmesh në Kiev

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka paralajmëruar banorët e  Kievit se po përgatitet të godas disa lokacione në kryeqytetin  e Ukrainës.

Sipas njoftimit të ministrit të mbrojtjes, Sergey Shoygu ushtria ruse ka në cak qendrat e teknologjisë dhe caqe të tjera duke u kërkuar banorëve që të largohen nga këto zona.

Ndërsa ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov  ka paralajmëruar për një sulm të mundshëm psikologjik nga Rusia.

13:00 | Presidenti Zelensky i adresohet Parlamentit Evropian

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes një video-lidhjeje, i është adresuar Parlamentit Evropian.

Bombardimin e Harkivit, Zelensky e ka përshkruar si krim lufte. Si pasojë e këtij sulmi, dhjetëra njerëz humbën jetën.

Sipas presidentit ukrainas, dëshmitarët kanë treguar që edhe civilët janë shënjestruar.

Ai ka thënë se është i lumtur që sheh një unitet te shtetet e BE-së dhe përkrahjen që po i japin Ukrainës.

Parlamenti Evropian po shqyrton kërkesën e Ukrainës për procedura të përshpejtuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian, ka mirëpritur aplikacionin e Ukrainës për anëtarësim.

12:15 | Boris Johnson: Putini po përdorë “taktika barbare”

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha se Vladimir Putin është i përfshirë në taktika “barbare dhe pa dallim” për të targetuar civilët në Ukrainë.

Johnson shtoi se presidenti rus ka “nënvlerësuar” gatishmërinë e njerëzve të Ukrainës për të luftuar dhe gjithashtu gatishmërinë e Perëndimit.

Këto komente kryeminsitrit britanik i dha gjatë një konference për shtyp, pas takimit me homologun e tij polak, Mateusz Morawiecki. Në Poloni, Johnson po takohet me aleatët e tij evropianë.

Kryeminstri britanik tha se është “shumë i sigurt” që pushtimi rus do të dështojë dhe se Putin “duhet të dështojë” në qëllimet e tij në Ukrainë.

Britania e Madhe është duke e konsideruar mundësinë për të bërë thirrje që Rusia të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, raporton BBC.

11:00 | Autokolona ruse drejt Kievit

Autokolona ruse, e gjatë rreth 65 kilometra, bazuar në raportet satelitore, është në rrugë e sipër drejt Kievit, madje ka raportime se po përforcohet para se të arrijë në qytet.

Përforcues i kësaj frike janë raportet që vijnë nga pjesë të tjera të Ukrainës, se Rusia po rrethon zonat e populluara, duke përdorur "taktika mesjetare" dhe duke u mohuar atyre ushqimin, ujin dhe furnizimet thelbësore.

Kur filloi ky pushtim, pritej që do të ishte vetëm çështje ditësh, madje edhe disa orë para se ushtria e fuqishme ruse të futej në Kiev.

Rusia, nga  rreth 40% të forcave të saj sa kishte brenda Ukrainës, e ka rritur këtë numër në rreth 75%. Kjo shifër është cituar gjithashtu nga një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

10:40 | Kuleba publikon pamje të sulmit në Twitter

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka shfaqur disa pamje në rrjetin social Twitter nga sulmi raketor në qendër të Kievit, në Sheshin e Lirisë. Ministri e ka akuzuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin për krime lufte si dhe ka i bërë thirrje botës për izolimin e mëtejmë të Rusisë.

10:20 | Goditet ndërtesa e administatës në Kharkiv

Ndërtesa e administratës në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, është goditur rëndë nga raketat ruse, në ditën e gjashtë të sulmeve për pushtimin e Ukrainës.

Të paktën gjashtë persona u plagosën, përfshirë një fëmijë, në një shpërthim në Kharkiv, njofton Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.

“Rusia po bën luftë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Vret civilë, shkatërron infrastrukturën civile. Objektivi kryesor i Rusisë janë qytetet e mëdha që tani qëllohen nga raketat e saj”, shkroi Ministria e Punëve të Jashtme në Twitter të martën, duke shpërndarë një video që tregon atë që duket të jetë një sulm me raketa në ndërtesën e Administratës Shtetërore Rajonale të Kharkiv.

Një video  e postuar nga Kostiantyn Nemichev, Shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Kharkiv, tregoi pasojat e sulmit të supozuar, duke përfshirë pjesën e brendshme të ndërtesës e cila ishte kthyer në rrënoja.

Ndërtesa e Administratës Shtetërore Rajonale ndodhet në "Sheshin e Lirisë", që është sheshi kryesor në Kharkiv dhe një pikë referimi arkitekturore.

09:30 | Vazhdon avancimi rus në Kiev

Ushtria ruse vazhdon avancimin e saj të qëndrueshëm në Kiev, me imazhe satelitore që dallojnë një kolonë të blinduar, që duket të jetë rreth 65 km e gjatë, në ditën e gjashtë të sulmit.

Zyrtarët ukrainas sapo kanë konfirmuar se të paktën 70 ushtarë u vranë të dielën , në një sulm artilerie ruse në bazën e tyre ushtarake.

Sulmi ndodhi në Okhtyrka, në rajonin Sumy, i cili aktualisht është nën rrethim nga forcat ruse. Parlamenti i Ukrainës sapo ka postuar në Twitter një homazh për ushtarakët, duke thënë "Lavdi e përjetshme për heronjtë e Ukrainës".

Trupat ruse gjithashtu thuhet se kanë filluar një sulm tokësor në qytetin jugor të Khersonit, thonë dëshmitarët.

Shumë shpërthime u dëgjuan gjatë natës në qytete në të gjithë vendin.  Zyrtarët thonë se dhjetëra civilë janë vrarë, por shifrat mendohet të jenë nënvlerësuar.  Edhe pse bisedimet e paqes ishin në progres, rusët vazhduan bombardimin e qyteteve dhe qytezave duke përfshirë Kharkiv, Kiev dhe Chernihiv.

Presidenti Volodymyr Zelensky bëri thirrje për një zonë të ndaluar fluturimi mbi vendin e tij dhe që Rusia të largohet si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ukraina paraqiti një kërkesë zyrtare për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe të paktën tetë vende të tjera të BE-së kanë sinjalizuar tashmë mbështetjen e tyre për masën.