Fillon shitja online e policave kufitare
Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se nga sot ka filluar shitja online e policave të sigurimit kufitar.
Drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, ka pohuar se shitja online është një lehtësi e madhe për bashkatdhetarët, sidomos gjatë kohës së verës, kur kolonat në kufij janë të gjata.
Sipas tij, bashkatdhetarët nuk kanë nevojë të presin fare për policë sigurimi, pasi që ata mund të paguajë ende pa u nisur.
“Qytetarët që dëshirojnë të blejnë polica online, duhet të klikojnë në linkun https:https://api.bks-ks.org/policaonline”, thuhet në njoftim.
Sipas drejtorit Mazreku, qytetarët gjatë blerjes online të policës kufitare duhet të jenë të kujdesshëm me rastin e përzgjedhjes së kategorisë së mjeteve të përcaktuara sipas destinimit.
“Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit ka bërë me dashje ose nga pakujdesia lajmërimin e pasaktë ose e ka lënë në heshtje ndonjë rrethanë të një karakteri të tillë, saqë siguruesi nuk do të lidhte kontratën po të kishte ditur për gjendjen e vërtetë, kontrata e sigurimit do të jetë e pavlefshme”, ka thënë Mazreku.
Po ashtu ai ka bërë të ditur se një policë kufitare që të jetë e vlefshme duhet të figurojë në regjistrin online në faqen zyrtare të Byrosë Kosovare të Sigurimit: https://api.bks-ks.org/policaonline, sipas të dhënave përmbajtjesore, të cilat duhet plotësuar me rastin e kontraktimit të policës.























