VIDEO-Mulaj: Qeveria të ndërhyjë tek çmimet e naftës me heqjen e tatimeve
BKT
Ekonomi

VIDEO-Mulaj: Qeveria të ndërhyjë tek çmimet e naftës me heqjen e tatimeve

Lufta në Ukrainë ka ndikuar tek çmimet e shumë produkteve në gjithë botë përfshirë edhe Kosovën. Rritja e çmimeve të derivateve të naftës ka ndikuar që edhe produktet e tjera të kenë rritje të çmimeve për shkak të transportit të mallrave.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, tha se bota ka hyrë në një krizë të dytë, pas pandemisë dhe kjo krizë ka shumë të panjohura.

“Zgjatja e krizës në Ukrainë do të sjellë pasoja ndërkombëtare dhe do të ndikojë tek çmimet e shumë produkteve”, tha ai për RTK-në.

Mulaj i cili vite më parë ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë, beson se tregjet ndërkombëtare do të stabilizohen, por tek shtetet në zhvillim dhe të varfra lëvizja e tyre sjellë shumë efekte negative.

“Kosova si shtet i ri nuk ka pasur shumë përvojë me kriza të tilla të rritjes së çmimeve. Po ashtu, Kosova ka rezerva të pakta të disa produkteve të nevojshme”, tha tutje Mulaj.

Sipas tij goditje me rritjen e çmimit të naftës do të pësojnë bujqit dhe nëse nuk ka subvencionim do të kemi më pak toka të mbjellura.

“Nuk pres të kemi mungesë të produkteve, por do të kemi rritje të çmimeve. Duhet të kemi kontroll të rritjes së çmimeve tek derivatet: p.sh. sot rriten çmimet në berzë, e në Kosovë menjëherë kemi rritje të çmimit të derivateve dhe kjo nuk duhet të jetë praktikë. Inspektorati i MTI-së duhet të monitorojë çmimet e naftës, pra duhet të kemi monitorim të rreptë dhe qeveria të ulë akcizën dhe tatimet, pasi për një litër të derivateve paguajmë rreth 60 cent akcizë dhe tatime”, theksoi ai. (A.B./RTKlive)

Për më shumë ndiqeni intervistën e plotë të njohësit të çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj dhënë për RTK-në.


MË SHUME NGA Ekonomi