MMPHI: Vendimi për çmimin e biletave ndihmon kategori të shoqërisë
Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka njoftuar se është duke i përcjellur me vëmendje zhvillimet që janë duke ndodhur në raport me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të biletave me qëllim të mbrojtjes së disa nga kategoritë e veçanta të shoqërisë.
"Në mbështetje të autorizimeve ligjore kemi ndërmarrë hapat formal ligjor duke u mbështetur në nenin 22 paragrafi 3 të Ligjit për Transportin, për të caktuar çmimore të veçantë për fëmijët, studentët, invalidët e luftës të punës dhe pensionistët, që këto kategori të jenë më të mbrojtura në raport me çmimet në rritje në transportin ndër urban të udhëtareve me autobus. Duke qenë në këto rrethana MMPHI është detyruar që të reflektoj autoritetin ligjor, duke nxjerr aktin nënligjorë (vendim) të përcaktoj çmimore të veçantë deri në normalizimin e gjendjes me çmimet nga operatorët e transportit ndërurban të udhëtarëve me autobus. Njoftohen të gjithë operatorët se MMPHI-ja, përmes mekanizmave dhe instrumenteve ligjore do të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit në fjalë nga të gjithë operatorët e transportit të udhëtarëve, rrjedhimisht në mbështetje të dispozitave ligjore të ligjit N/L-179 për transportin rrugor. Organet e kontrollit do të ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme me qëllim të zbatimit të këtij vendimi", thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ndryshe sot Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka dorëzuar padi kundër Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me këtë vendim.
Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj ka deklaruar se padia është bërë me qëllim që t’i jepet kohë Qeverisë së Kosovës që të reflektoj lidhur me vendimin e marrë të premten.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi, të premten kishte njoftuar se kanë marrë vendim për caktimin e çmimores në transportin ndërurban të udhëtarëve me autobus për kategoritë e veçanta siç janë: fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët punës dhe pensionistët.
"Duke pasur parasysh lëvizjet e çmimeve këtyre ditëve dhe në përputhje me kompetencat tona, kemi marrë vendim që të ndikojmë direkt në uljen e këtyre çmimeve për kategoritët që prek më shumë kjo gjendje, duke përcaktuar kështu çmimoren për transportin ndërurban me autobus për fëmijët, studentët, invdalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët. Për kategoritë e lartpërmendura, me këtë vendim përgjysmohet çmimi i biletës aktuale. Kjo çmimore hyn në fuqi menjëherë dhe mbetët e tillë deri në normalizimin e çmimeve të derivateve të naftës", ka shkruar Durmishi në "Facebook".(A.Bela)























