VIDEO-Kurtishaj: Vendimi për bileta zbatohet vetëm nëse ka subvencionim
Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës, që fëmijët, studentët, invalidët e luftës e punës dhe pensionistët përfitojnë nga përgjysmimi i çmimit të biletës së autobusëve, po has në reagime nga komuniteti i biznesit në vend që përfaqësohen nga Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).
Për këtë vendim operatorët e transportit të udhtarëve i janë drejtuar Gjykatës Themelore, duke pretenduar se Ministria ka bërë shkelje ligjore duke nxjerrë vendim, i cili shkel ligjet për operimin e tregut të lirë në Kosovë.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, tha se vendimin e ministrisë po e kundërshtojnë, pasi që ai është kundërligjor dhe po e presin vendimin e gjykatës.
“Ne kërkojmë dialog, është dashur që zëvendësministri të na thirr në takim të konsultimit. Nuk kemi pasur rrugë tjetër pos gjykatës”, tha Kurtishaj sot në emisionin e mëngjesit "Mirëmëngjesi Kosovë", në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Ai ka kërkuar të subvencionojë derivatet e naftës për transportuesit e udhëtarëve. “Sa më parë duhet të anulohet ky vendim, nëse nuk ka mbështetje nga qverii do të ketë falimentim të bizneseve të transportit të udhtarëve. Ne nuk do ta respektojmë këtë vendim, jemi duke e pritur vendimin e Gjykatës, operatorët janë të gatshëm edhe për masa të tjera duke mos përjashtuar edhe protestat”, theksoi ai.
Kurtishaj vlerësoi se nëse ndërhyhet vetëm në një sektor, në këtë rast tek transporti i udhëtarëve është padrejtësi e madhe. “Pse ministria nuk ndërhyhet edhe tek çmimi i taksive, ose pse nuk ndërhyn tek transportuesit ilegal që bartin udhëtarë në drejtim të Ferizajt, Mitrovicës etj”, deklaroi ai.
“Pse qeveria nuk po ndërhynë për të përgjysmuar çmimin e vajit, të bukës, çmimet e barnave, apo pse nuk po ndërhyn tek çmimet në konvikte ku ka mundësi për tu ndihmuar studentëve”, tha Kurtishaj. ( A.Bela)























