Mehmeti: Ekonomia e Kosovës shënoi rikuperim gjatë vitit 2021 me 10.5%
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), të martën ka prezantuar raportin e Tranzicionit 2021-2022.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti theksoi se masat e kujdesshme të BQK-së për rimëkëmbje kanë treguar një përformancë në ruajtjen e stabilitetit financiar në Kosovë.
"Masat e kujdesshme të ndërmarra nga BQK-ja janë treguar shumë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar për ekonominë. Sektori bankar arriti të ruajë qëndrueshmëri të lartë. Aktualisht norma e kredive qëndron 2.3 për qind ndërsa norma vjetore 15.7 për qind. Vetëm gjatë vitit 2021 1.8 miliardë euro janë lëshuar kredi të reja. Në rend të parë është stabiliteti financiar. Në anën tjetër jo vetëm që ka tejkaluar krizën por ka marrë rol kyç për rritjen ekonomike. Prandaj prioriteti është që bankat të ruajnë qëndrueshmërinë. Ekonomia ka shënuar rikuperim gjatë vitit 2021 me 10.5 për qind, ku ndër kontribuuesit është edhe sektori bankar. Një ekonomi që të funksionojë mirë duhet të jetë konkurrues, gjithëpërfshirës dhe e qëndrueshme. Vëmendje të veçantë raporti i kushton dixhitalizimit. BQK ka bërë hapa të rëndësishëm në liberalizimin e tregut dhe është duke punuar në draft ligjin në sistemin e pagesave”, tha Mehmeti.
Kurse Neli Taylor udhëheqës i Zyrës së BERZh për Kosovën, theksoi se sistemi i dixhitalizimit është gjithnjë në rritje, për këtë tha se nevojitet që Kosova të ketë më shumë investime në infrastrukturën e 4G. “Njerëzit me shkathtësi digjitale e braktisin për vende tjera. Kjo është lëmi në të cilin banka duhet të përqendrohet. Në dy vjetët e fundit kemi vendosur t’u ndihmojmë kompanive, e ku kemi pasur 109 projekte zhvillimore. Tashmë po shohim kërkesë për këtë punë dhe ky trend do të vazhdojë. Bankat duhet të ecin më shpejt dhe t’u paraprijnë zhvillimeve. Me 15 milionë euro investime e kemi mbyllur vitin e kaluar”, tha ai.
Krahas mundësisë së financimit të drejtpërdrejtë nga BERZH-i aty ku është e nevojshme, Banka u ofron kompanive në Kosovë qasje në financa në kuadër të linjës së saj të kredisë për Konkurrueshmërinë e NVM-ve në bashkëpunim me bankat komerciale. Përveç kredive, kompanitë marrin edhe grante deri në 15 për qind të vlerës së kredisë. Për më tepër, BERZH-i ofron këshilla biznesi për bizneset, në bashkëpunim me ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë, për t’i përmirësuar bizneset e tyre në një sërë fushash, duke përfshirë digjitalizimin.
Nga 149 projekte këshillimore gjatë periudhës së pandemisë 2020-2021, 30 për qind ishin të dedikuara për digjitalizimin, përkatësisht 14 për qind e projekteve për zhvillimin e zgjidhjeve digjitale për menaxhim në distancë të BNJ-ve, prodhimit ose administrimit, dhe 16 për qind e projekteve mbështetën NVM-të për fillimin ose rritjen e biznesit online.
Që nga fillimi i operacioneve të veta në Kosovë në vitin 2012, BERZH-i ka investuar pothuajse 600 milionë euro. Prioritetet strategjike të Bankës në Kosovë janë promovimi i ekonomisë së gjelbër, mbështetja e zhvillimit konkurrues të sektorit privat, si dhe nxitja e integrimit rajonal.
(RTK)























