Greqia depozitim të gazit në Bullgari dhe Itali
Ministria greke e Energjisë po shqyrton depozitimin e gazit natyror në Itali dhe Bullgari për të siguruar furnizime të mjaftueshme për sezonin e ardhshëm dimëror (2022-2023).
Komisioni Europian u ka kërkuar të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Europian pa depo gazi që të sigurojnë marrëveshje me vendet që kanë magazina deri më 1 nëntor të këtij viti, për sasi të barasvlershme me 15% të konsumit vjetor të gazit. Në rastin e Greqisë, konsumi vjetor i gazit natyror në vitin 2020 ishte 5.8 miliardë metra kub, që do të thotë se është e nevojshme të sigurohet një sasi e depozituar prej 0.9 miliardë m³.
Bullgaria ka një strukturë magazinimi të gazit natyror, me të cilin është i ndërlidhur Operatori Helenik i Sistemit të Transmetimit të Gazit (DESFA), me një pikë të dytë interkonjeksioni që do të fillojë së shpejti të funksionojë përmes gazsjellësit Interkonektori i Gazit Greqi-Bullgari (IGB). Por objekti nëntokësor i Bullgarisë ka një kapacitet relativisht të kufizuar prej 0.6 miliardë m³.
Kapaciteti i magazinimit në Itali është rreth 20 miliardë m³. Greqia është e lidhur me këto nëpërmjet Shqipërisë dhe Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP). Në këtë rast sasitë e kërkuara mund të sigurohen në bazë të marrëveshjeve të shkëmbimit./ Ekathimerini























