VIDEO-Fondi Sovran strehë e ndërmarrjeve publike e shoqërore
BKT
Ekonomi

VIDEO-Fondi Sovran strehë e ndërmarrjeve publike e shoqërore

Visar Krasniqi, RTK

Të ardhurat tepricë nga eksporti i naftës, 69 vjet me parë do t’i shtynin autoritetet e Kuvajtit të themelonin Fondin e Pavarur Sovran. Ky vendim ishte marr me qëllim që të zvogëlohej varësia nga burimi i naftës që nuk do të zgjaste pafundësisht.

Kështu nga viti 1953 vazhdoi trendi i themelimit të disa fondeve në vende si Kiribati. Fondi u themelua nga të ardhurat që vinin nga nxjerrja e fosfatit. Në vitin 1958, u themelua US New Mexico State Investment Council në Shtetet e Bashkuara të Amerikë. Kështu vazhdoi trendi duke u themeluar Temasek Holdings në Singapur e deri te Fondi turk në vitin 2016.

Së fundi edhe Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat e themelimin e një fondi të tillë. Fondi Sovran i Republikës së Kosovës, si shoqëri e pavarur financiare-investuese dhe aset-menaxhuese. Hartimin e Koncept-dokumentit, kryeministri Kurti ia ka besuar një mërgimtari. Besnik Pulës, si kryesues i Grupit Punues, me katër anëtar të tjerë.

Dokumenti propozon modelet e financimit për themelimin e FSRK, pa ndikime në shpenzimet operative të Qeverisë. Parashihet se me themelimin e FSRK-së si njësi vetëfinancuese, Qeveria në një periudhë afatmesme (2-5 vjet) arrin që të kthejë dhe rrisë profitabilitetin e NP-ve të cilat aktualisht janë barrë buxhetore për vendin, duke i siguruar Qeverisë burim financiar nga dividentat dhe themelimin e një Fondi Rezervë për nevoja emergjente fiskale.

Fondet e tilla nëpër botë kanë pasur sukses.

Temasek është një kompani investuese, me fushë veprimtari globale, themeluar në vitin 1974 në Singapur, nëntë vite pas pavarësimit të Singapurit nga Britania e Madhe. Në kohën kur u themelua, popullsia e Singapurit ishte rreth 2.2 milionë, Bruto Produkti Vendor (BPV) (me çmime aktuale) ishte rreth 5.2 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa ai për kokë banori ishte rreth 2,342 dollarë amerikanë. Këta indikatorë ekonomikë dhe të popullsisë janë të krahasueshëm me situatën aktuale në Kosovë.

Bazuar në gjendjen e 31 marsit të vitit 2021, Temasek ka në pronësi një portfolio prej rreth 283 miliardë dollarësh amerikanë. 10 nga 35 kompanitë fillestare ende mbesin pjesë e portfolios së Temasek.
 

Slovenian Sovereign Holding në Slloveni

Slovenian Sovereign Holding (SSH), fillet themelimit i ka në vitin 1993, rreth 2 vite pas shpalljes së Pavarësisë së Sllovenisë dhe daljes së saj nga ish-Jugosllavia. Në atë kohë, popullsia e Sllovenisë ishte rreth 2 milionë dhe BPV për kokë banori ishte 5,100 €. 

Bazuar në gjendjen e 31 dhjetor 2020, vlera e përgjithshme e aseteve në portfolion e Fondit Slloven ishte rreth 9.9 miliardë €. Edhe në rastin e SSH, burimet e financimit përbëjnë asete që nuk janë lëndë bazë. Top-10 asetet që përbëjnë rreth 79% të të gjithë vlerës vijnë nga industria e transportit, sektori i energjisë, sektori financiar, dhe turizmi.

Turkey Wealth Fund në Turqi

Turkey Wealth Fund (TWF) është një model tjetër i fondeve sovrane, i themeluar në vitin 2016 në Turqi. TWF përbën një shembull të mirë krahasues për shkak të objektivave që ka. Portfolio e aseteve të TWF përbëhet nga 23 kompani, dy licenca, dhe patundshmëri në tetë sektorë. Përbërja e portfolios është 35% në sektorin e shërbimeve financiare, 27% në energji, 13% në transport dhe logjistikë, 9% në miniera, 8% në lojëra të fatit dhe 4% në teknologji dhe telekom, 2% në bujqësi dhe ushqim, dhe 2% në patundshmëri. Edhe në rastin e TWF, burimet e financimit përbëjnë asete që nuk janë lëndë bazë.


Ndikimet ekonomike të Fondit parashihet të jenë të shumanshme.

Ekspertët e ekonomisë, Erton Bega dhe Ismet Mulaj, vlerësojnë se qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes në trajtimin e të gjitha çështjeve para se të themelojnë Fondin Sovran.

Themelimi i FSRK-së kërkon ndryshime ligjore, pasi baza ligjore nuk ekziston.

Grupi punues propozon të miratohet edhe ligji për Kampionët Nacionalë, për të krijuar mundësinë për investime të brendshme të FSRK-së jashtë sferës së ndërmarrjeve publike.

Fondi do të udhëhiqet nga Bordi Mbikëqyrës gjashtë anëtarësh dhe do të jetë organi më i lartë mbikëqyrës dhe qeverisës i Fondit, ndërsa Bordi Ekzekutiv do të përbëhet nga Shefi Ekzekutiv, Shefi Financiar dhe Shefi i Operacioneve.

Për financimin e FSRK-së, Qeveria mund të krijojë me ligj një instrument të ri financiar të quajtur: “Kapitali Investues i Garantuar”. Grupi Punues ka identifikuar katër Ndërmarrje Publike që mund të barten në FSRK: Korporata Energjetike e Kosovës, Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, Trepça, Trainkos dhe Infrakos. Para bartjes Qeverisë i rekomandohet ta fillojë procesin e ristrukturimit të ndërmarrjeve.

Grupi Punues gjithashtu nuk e ka pas në mandat të shqyrtoj çështje që lidhen me AKP-në dhe të ardhmen e saj. Sipas vlerësimeve të Grupit Punues, FSRK në asnjë mënyrë nuk mund të marrë përsipër, në forme direkte e as të modifikuar rolin dhe funksionet e AKP, që janë krejtësisht të ndryshme prej atyre të FSRK. Grupi Punues ka identifikuar dy mundësi kalimi asetesh nga AKP në FSRK.

E para është transferi i NSH përmes një procesi të “spin-off” ose të ngjashëm, ku FSRK merr pronësinë mbi një ndërmarrje të re të krijuar nga asetet e ish-Ndërmarrjeve Shoqërore. E dyta është transferi direkt i aseteve fizike, objektet, tokat, teknologjitë, që FSRK i organizon në kuadër të një ose më shumë ndërmarrjeve të reja...Në asnjë rast detyrimet e ish-NSH-ve nuk mund t’i trashëgojë ndërmarrja e re e krijuar me asetet e ish-NSH-së, e as FSRK. Sipas vlerësimeve të Grupit Punues dhe AKP-së, procedura më efektive për marrjen nën posedim të aseteve të caktuara të AKP-së nga Qeveria është ajo e shpronësimit. Kjo siguron që Qeveria kompenson pjesën e garantuar për punëtorët e ish-NSH-ve, si dhe jep kompensimin për kreditorët e tjerë të mundshëm që do të ruhen në fondin për mirëbesim të AKP-së.

Kush mund ta ndihmojë e themelimin e FSRK-së

IFC mund ta mbështes themelimin e FSRK përmes asistencës teknike direkte apo përmes projektit “Klima e Investimeve II” të financuar nga Qeveria e Zvicrës.

Involvimi i EBRD-së mundet me qenë me njërën prej ndërmarrjeve publike: Telekomi p.sh., ku ata mund të ndihmojnë në ristrukturimin e ndërmarrjes, strategjisë, planit për qeverisje korporative si dhe mund të ofrojnë asistencë teknike në themelimin e Fondit, operacionalizimin e tij.

Banka për Zhvillim - KfW shprehi gatishmëri për ta rishikuar dokumentin (pas përfundimit nga Grupi Punues) nga ekspertet e tyre të brendshëm (qoftë edhe jo-zyrtarisht), pasi që edhe ata, si bankë zhvillimore, kanë përvojë në mbajtjen e aseteve shtetërore. 

Banka Botërore mund ta mbështes themelimin e FSRK përmes asistencës teknike të fokusuar në qeverisje korporative. Gjate diskutimit me përfaqësues te Bankës Botërore, u kërkua të definohen nevojat për asistencë teknike si dhe të vazhdojnë diskutimet.

Përfaqësues të Ambasadës norvegjeze shprehën gatishmëri për të mbështetur këtë nismë.

Për momentin, asistencë teknike për nevoja të themelimit të FSRK për fusha të caktuara që lidhen me reformat evropiane dhe administratës publike mund të kërkohet nga projekti , i cili i mbështet institucionet publike të Kosovës që menaxhojnë zbatimin e MSA-së në nëntë kapituj: 4, 9, 10, 15, 18, 19, 27, 28 dhe 32.

Përfaqësues të Ambasadës suedeze shprehën gatishmëri për të mbështetur nismën për themelimin e Fondit Sovran, qoftë financiarisht apo përmes krijimit të një projekti të posaçëm për FSRK.

Friedrich Ebert Stiftung (FES) ka ofruar mbështetjen teknike për punën Grupit Punues. FES gjithashtu ka ofruar organizimin e një konsulte me ekspertë ndërkombëtare, të rekrutuar përmes rrjetit ndërkombëtar të FES, lidhur me konceptin e FSRK dhe politikat e zbatimit. FES ka ofruar mbështetje teknike edhe në aspekte tjera të zhvillimit të politikave rreth sektorit publik dhe qeverisjes së FSRK.

Lidhur me rolin e donatorëve, Grupi Punues rekomandon vazhdimi i komunikimit me EBRD për mundësinë e përkrahjes teknike dhe financiare për ristrukturimit e NP-ve, në veçanti Telekomit.

Si investitor financiar, Fondi do të ketë të drejtën ekskluzive të blerjes, posedimit dhe shitjes së aseteve tregtare, brenda dhe jashtë vendit.

Fondi do të ketë të drejtë të investojë në asete të brendshme dhe të jashtme.

Fondi mund të marr pronësinë e ndonjë Shoqërie Aksionare privte vetëm në raste të jashtëzakonshme

Me kapital të vetin, Fondi do të ketë të drejtë që të themelojë ndërmarrje të reja, por edhe me kërkesë të Qeverisë.

Dividenda e paguar i transferohet Qeverisë. Me kërkesë të Ministrisë së Financave, Qeveria mund të kërkojë transferimin e Fondit Rezervë nga Fondi Sovran në llogaritë e Qeverisë.

Grupi Punues ka planifikuar ta themeloj edhe Akademia e Fondit Sovran.

Hapat e ardhshëm që dalin nga koncept-dokumenti, Komisioni që merret me themelimin e FSRK-së përballet me këto tri opsione: Mbajtja e gjendjes ekzistuese ose ndonjë model i jashtëm. Por, Grupi Punues ka vlerësuar opsionin e tretë, i cili i adreson problemet e modelit aktual të qeverisjes të sektorit komercial publik.

Për më shumë shikoni emisionin e plotë RTKstory: 


MË SHUME NGA Ekonomi