Ish-punëtorët e NSH “19 Qershori”, kërkojnë borxhin
Valjete Shala
Probleme kanë edhe afër 100 ish-punëtorë të ndërmarrjes shoqërore “19 Qershori”, të cilët po kërkojnë borxhin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Ata thonë se me privatizimin e ndërmarrjes, borxhin e mori përsipër kjo agjenci. Gjithashtu punëtorët janë të shqetësuar për mosnjohjen e punës së plotë që kanë bërë ndër vite.
Të mbledhur për një hall të njëjtë. Janë disa nga ish- punëtorët e ndërmarrjes “19 qershori”, në Podujevë. E halli i tyre i çon atje ku dikur punonin, në ndërmarrjen shoqërore “19 qershori”. Por edhe pas shumë vitesh mundi i tyre ende nuk iu pagua.
“Jemi në hall me AKP-në, i cili nuk po i kryen obligimet që ka ndaj nesh. Sikurse pagat e pa-paguara si dhe dosjet. Ndërmarrja jonë është privatizuar në vitin 2004 dhe që nga atëherë është ky borxh i pa kryer. Mua personalisht mi kanë diku 1.700 euro por secilit prej neve na kanë mbi 1000 euro”, thotë Sheqir Popova, ish-punëtor.
Për këtë çështje thonë se kanë dërguar ankesa e kërkesa në shumë institucione. Përveç borxhit, këta ish-punëtor thonë së hall tjetër është edhe mos- njohja plotësisht e punës tash e disa vjet.
“Na kanë borxh prej atëherë pa u shit ndërmarrja. Na kanë mbet borxh rrogat. Kemi edhe dokumentacionin për pensione, nuk po na sigurojnë. Jemi mbet pa to. Borxhin tonë është i obligueshëm me na dhanë AKP-ja. Kemi njerëz që janë pa të ardhura qe e presin atë borxh që 18 vite”, thotë Nazim Hajrullahu, ish-punëtor.
“130 punëtor kanë qenë. 40 kanë vdekur. Familjarët e tyre kërkojnë borxhin mundin e prindërve që kanë dhanë ne këtë fabrikë”, thotë Mehdi Deda, ish- punëtor.
Në një përgjigje me shkrim nga AKP-ja, thonë së janë në kontakt me Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për të pranuar listën e ankesave aktuale ndaj kësaj ndërmarrjeje. Posa të merret kjo listë, atëherë AKP do të analizojë me prioritet mundësinë e shpërndarjes së pagesave për punëtorët e NSH “19 Qershori" në Podujevë.























