Kosova ka kushte klimatike dhe tokë pjellore për kultivimin e patates
BKT
Ekonomi

Kosova ka kushte klimatike dhe tokë pjellore për kultivimin e patates

Ardiana Hajzeri, Radio Kosova

Me rritjen e temperaturave ka filluar edhe mbjellja e kulturës së patates. Kultivuesi më i madh i patates në vend është Kompania “Pestova” nga Vushtrria.

Drejtori i kësaj kompanie, Bedri Kosumi, në një intervistë për Radio Kosovën ka treguar se këtë vit planifikon të mbjellë rreth pesëqind hektarë me patate. Me gjithë ngritjen e çmimeve, ai porosit fermerët që të mbjellin sa më shumë sipërfaqe të tokës së punueshme.

Radio Kosova: Zotëri Kosumi, jemi në fillim të sezonit të mbjelljeve, për fillim a mund të na thoni diçka për sfidat me të cilat jeni përballur në radhë të parë si pasojë e pandemisë e e cila ka prekur edhe fermerët?

Bedri Kosumi: Pandemia ka qenë një sfidë e rëndë. Po shpresojmë se tash jemi në fund të kësaj situate e cila ka sjell sfida të shumta te ne dhe te fermerët. Por fatmirësisht edhe përkundër që kemi pasur një numër të madh të punëtorëve të infektuarve, nuk kemi pas humbje të jetëve të punëtorëve. Përkundër sfidave të mëdha, kemi arritur dhe kemi dalë edhe më të fortë.

Radio Kosova: Po tani, cilat janë sfidat më të mëdha që po përballeni, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve, dhe a mund të ndikojë kjo në zvogëlimin e sipërfaqeve të mbjella me patate?

Bedri Kosumi: Tani sfidat me të cilat po përballemi pas konfliktit në Ukrainë, janë të shumta e të cilat po na vështirësojnë punën. Njëra ndër sfidat është shtrenjtimi i lëndës së parë dhe i gazit të cilin ne e marrim nga Serbia e që na është ndalur që dy herë. Dhe ne, si kompani, jemi shumë të varur nga gazi për sa i përket prodhimit dhe mund të themi se kjo është ndër sfidat me të mëdha, sepse çmimi i tij është rritur shumë.

Radio Kosova: Zotëri Kosumi, a keni kontraktuar me fermerë të kësaj ane apo komunave të tjera për mbjelljen e patates, dhe a pritet që edhe sivjet të vazhdoni bashkëpunimin e njëjtë me ta si në vitet kaluara?

Bedri Kosumi: Kur është fjala te prodhimi i patates ne jemi shumë të fortë në këtë pikë. Ne kemi filluar me mbjelljen e patates dhe deri më tani kemi mbjellë njëqind hektarë patate të hershme në Tuz, Malësi, Rrafshin e Dukagjinit dhe Rrafshin e Kosovës. Kemi kontraktuar shumë fermerë në vend dhe gjithçka është duke shkuar shumë mirë, falë edhe kushteve klimatike të cilat janë të favorshme. Dhe këtë vit patatja është duke u mbjellur me herët dhe me gjithë rritjes së çmimit të naftës, plehut dhe farës këtë vit planifikojmë të mbjellim me shumë sipërfaqe me patate.   

Radio Kosova: A keni planifikuar sa është sipërfaqja e tërësishme që do ta mbillni me patate këtë vit?

Bedri Kosumi: Po këtë vit kemi planifikuar që të mbjellim rreth pesëqind hektarë së bashku me sipërfaqet e mbjella në Malin e Zi. Dhe presim që këtë vit rendimentet të jenë rreth 15 mijë tonë patate, por kjo varet edhe nga kushtet atmosferike.

Radio Kosova: Zotëri Kosumi, ju si njëra ndër kompanitë më të mëdha  që merreni me përpunimin e patates, a importoni patate nga vendet e tjera ?

 Bedri Kosumi: Po për një periudhe të shkurtër një muaj deri në dy muaj importojmë patate nga Mali i Zi, kryesisht pataten e hershme. Ndërsa, muajt e tjerë Kosova ka prodhim të mjaftueshëm të patates për nevojat e vendit por edhe për eksport, kryesisht në Shqipëri dhe në vendet për rreth.  

Radio Kosova: Këtë vit Ministria e Bujqësisë ka rritur subvencionet nga 300 në 645 euro për një hektar me patate. A janë te mjaftueshme këto mjete, kur dihet se janë rritur çmimet e naftës, plehut, farërave etj?

Bedri Kosumi: Për bujqit asnjëherë nuk është e mjaftueshme po kjo rritje është diçka e mirë. Por është e rëndësishme që këto subvencione të jepen në fillim të të mbjellave dhe jo në fund sepse bujku ka nevojë për ndihmë në ditën që ai mbjell, dhe jo të jepen në fund kur patatja vetëm nxirret, siç ka ndodhur deri me tani.

Radio Kosova: Po si e vlerësoni ju sa kanë leverdi fermerët të cilët merren me mbjelljen e patates?

Bedri Kosumi: Për fermerët e patates, kryesisht me ata me të cilët punojmë ne, nuk kam se çka të them. Ata po punojnë. Punojnë edhe kur fitojnë më shumë edhe kur nuk fitojnë. Siç e thashë edhe më herët, këtë vit po mbjellin më shumë, më mirë dhe më herët dhe besoj se do të ndahen shumë më të kënaqur sesa vitin e kaluar. 

Radio Kosova: Për fund, cili është mesazhi juaj për të gjithë fermerët në vend?

Bedri Kosumi: Duhet të vazhdohet, sepse nuk ka rrugë tjetër. Vetë  kriza e fundit tregon se sa e rëndësishme është bujqësia për një vend. Unë nuk njoh një vend të zhvilluar, për shembull Holanda, ose Gjermania, që nuk e ka bujqësinë e zhvilluar. E pse ne që i kemi kushtet e mira klimatike dhe tokën pjellore të mos punojmë. Duhet të punohet shumë më shumë se që është punuar deri më tani. Po e përsëris edhe në herë, mendoj se nëse deri tash një fermer ka punuar një hektar tash duhet të punojë 2-3 e më shumë hektar, pasi që pa bujqësi nuk ka zhvillim.

 

 


MË SHUME NGA Ekonomi