Ministri Murati paralajmëron reformë pensionale
Afet Bela
Shumë pensionistë kontribut dhënës në Kosovë në vitet e fundit nuk janë duke gëzuar të drejtën e plotë të pensionit, për shkak se kriteri kryesor është përvoja prej 15 viteve e punës në kohën e Ish-Jugosllavisë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se pas reformës sociale e cila pritet të fillojë gjatë këtij viti, edhe ajo pensionale do të realizohet në të ardhmen.
Murati në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se shumë familjarë nuk po mund të gëzojnë të drejtën e pensionit të plotë, qoft edhe për një muaj.
“Kriteri prej 15 vite për pensione, është marrë nga sistemi i kaluar, pra nga koha e UNMIK-ut, pra ka qenë kriter i asaj kohe. Pra reflekton si e padrejtë edhe sot, pra shumë familjar gjatë viteve ’90 janë privuar nga marrja e pensionit të plotë. Dallimi është shumë i madh, për një muaj ka pensionist që nuk i takon pensioni, pra humb qindra euro. Arsyetimi ka qenë se herë do, kur të bëhet marrëveshja e secesionit me Serbinë dhe fondi i pensioneve të kthehet. Gjatë këtij viti do të fillojmë reformën e skemave sociale dhe pensionale. Iu kisha lut si Kuvend që të punoj së bashku, do të fillojmë skemën sociale dhe pastaj skemën pensionale. Hapi i parë ka dje marrëveshje që është votuar në Komision, Marrëveshja me Bankën Botërore, për përkrahje të skemës Sociale”, tha ai.
Ndryshe momentalisht Kosova, ka në fuqi Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili ka hyrë në fuqi 06 maj 2014.























