Kosova e Izraeli bisedojnë për rritjen e bashkëpunimin në shëndetësi
BKT
Shëndetësi

Kosova e Izraeli bisedojnë për rritjen e bashkëpunimin në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, bashkë me Ministrin për Bashkëpunim Regjional nga Izraeli, Esawi Freji dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, kanë vizituar sot Shërbimin Spitalor të Kosovës, përkatësisht Klinikën e Pediatrisë.

Në këtë takim, sipas njoftimit nga MSH, ministri Latifi e informoi ministrin e Izraelit, Freji, për sistemin shëndetësor të Kosovës, në theks të veçantë për shërbimet në Klinikën e Pediatrisë(QKUK).

“Ministri Latifi u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Qeverinë e Izraelit, pasi që të dy vendet kanë marrëdhënie të mira ndërshtetërore, ndërsa veçoi mbështetjen e Izraelit për shërimin e fëmijëve kosovarë. Deri më tani, janë 6 fëmijë nga Kosova të cilët janë kuruar në Izrael, dhe për këtë ministri Latifi, u shpreh se është mirënjohës për një kontribut të tillë”, thuhet në njoftim.

Tutje ministri Latifi e ka falënderuar shtetin e Izraelit për kontributin e dhënë në përmirësimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, teksa ka thënë se pret që në të ardhmen ky bashkëpunim të intensifikohet në kuptim të shkëmbimit të përvojave të mjekëve dhe infermierëve dhe avancimit të shkathtësive të tyre klinike.

Ministri për Bashkëpunim Regjional i Izraelit, z. Esawi Freji, tha se Qeveria e Izraelit, e ka në prioritet bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kosovës, duke i vlerësuar si të rëndësishme raportet miqësore dhe bashkëpunimin korrekt në mes Kosovës dhe Izraelit, sidomos për shërimin e fëmijëve nga sëmundje që nuk mund të trajtohen plotësisht në Kosovë.

“Është shumë më rëndësi, që ministri Latifi, vjen nga profesioni mjekësor dhe gëzon  një përvojë ndërkombëtare në shëndetësi, prandaj jemi të gatshëm si kurdo herë që të kontribuojmë në përmirësimin jo vetëm të infrastrukturës shëndetësore, por edhe më përgatitjen e kuadrove shëndetësore kosovare”, ka thënë ministri Freji.

Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe Simon Fisher, drejtor ekzekutiv i organizatës “Save the Child Hart”, i cili deklaroi se fëmijë të tjera nga Kosova do të shërohen në Izrael, për probleme të ndryshme shëndetësore.


MË SHUME NGA Shëndetësi