Fëmijët në dializë, mungojnë disa produkte mjekësore
Shëndetësi

Fëmijët në dializë, mungojnë disa produkte mjekësore

Elmine Osmani

Në Repartin e Dializës në Pediatri, mungojnë disa produkte mjekësore që ua vështirësojnë trajtimin fëmijëve që vuajnë nga veshkat. Mungesa e kateterave të përhershëm po u shkakton shqetësim fëmijëve që i nënshtrohen hemodializës, por edhe prindërve të tyre.

Në këtë hapësirë brenda Klinikës Pediatrike po kryhet dializa te fëmijët. Megjithatë, prindërit po përballen me mungesë të liftit deri në katin e pestë.

 “Kushtet këtu në katin e katërt kat nuk janë, sepse ai është në karrocë. Djali është i palëvizshëm, duhet me ardhë prindërit me e pru përmes shkallëve. Deri në një kat më poshtë ka lift, një kat duhet në bartë në duarë”, tha Meriton Hyseni, prind.

Veç kësaj, Meritoni ka një hall tjetër. Ai shpreh dhimbje për djalin e tij të cilit në mungesë të një kateteri permanent, i rivendoset kohë pas kohe kateter i përkohshëm.

“E ka në arterie, por ju ka blloku sot i kanë vendosë tjetër, nuk është stabile ajo, nuk është e sigurt. Unë kam këqyrë në rajon me e ble por nuk ka, sepse po u dashke qendrat spitalore me e pasë. Këta në klinikë nuk e kanë atë numër, më të madhe nuk guxojnë me e vendosë sepse vendoset në gjoks ajo”, tha ai.

Mirëpo kjo klinikë ka mungesë të numrave të vegjël të kateterëve jo permanent, që i bie se në rast të nevojës për dializë të fëmijëve të vegjël nuk ka kateter. E për këtë ka një shpjegim drejtuesja e Pediatrisë.

“Për shkak që keteterët janë harxhuar par kohe, kemi bërë kërkesa menjëherë. Kërkesat janë procedua më tutje, por prej informatave që kemi nga Zyra e Prokurimit, për shkak se operatorët nuk i kanë plotësuar kushtet dhe nuk është realizua kërkesa. Është bërë kërkesë urgjente tjetër prapë përmes Barnatores Qendrore tash janë në procedurë të lidhjes së kontratave dhe besoj që shpejt do të marrim informata për materialin e ri”, tha VIoleta Grajqevci, drejtoreshë në Klinikën e Pediatrisë.

Në një të ardhme të afërt, sipas Grajqevcit, pritet që dializa te fëmijët në gjendje të rëndë shëndetësore, të kryhet në repartin intenziv në objektin e ri të Klinikës së Pediatrisë. E në Klinikën e Pediatrisë brenda një viti, 15 deri 20 fëmijë kërkojnë trajtim me dializë, që nga mosha e porsalindurve e deri të ajo 18 vjeçare.