Imunizimi i fëmijëve shënon rënie, ngecje sidomos tek komuniteti REA
RTK
Shëndetësi

Imunizimi i fëmijëve shënon rënie, ngecje sidomos tek komuniteti REA

B. Halimi /RTKlive.com

Jo vetëm vaksinimi kundër Covid-19, por edhe vaksinimi i rregullt i fëmijëve ka shënuar rënie kohët e fundit në Kosovë.

Për këtë arsye Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe organizatat që merren me mbrojtjen e fëmijëve përmes disa mesazheve vetëdijesuese kanë bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve në kuadër të Javës Evropiane të Imunizimit.

Dafina Zuna nga UNICEF ka thënë se shënimi i kësaj jave në dy vitet e fundit e ka gjetur Kosovën, ashtu sikurse edhe tërë globin, në rrethana krejt tjera, duke pasur parasysh pandeminë Covid-19.

“IKSHPK kohë më parë ka dalë me raport se ka pasur një rënie të dukshme të vaksinimit të fëmijëve. Nuk kemi ndonjë të dhënë të besueshme se pse ka ndodhur kjo ulje e vaksinimit të fëmijëve, sepse nuk kemi bërë ndonjë hulumtim, por supozohet se ka ndodhur për shkak të pandemisë Covid-19”, ka thënë Zuna në emisionin “Imazh” në RTK.

Ajo ka thënë se edhe këtë vit janë shtuar përpjekjet për imunizim të fëmijëve, derisa në nivel rajonal por edhe global sipas saj Kosova qëndron mirë në këtë aspekt.

“Kemi nisur një fushatë ndërgjegjësuese ku kemi shkuar derë më derë, së bashku me institicionet lokale, IKSHPK-në dhe me partnerët tanë për të bërë imunizimin e fëmijëve sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit. Realisht Kosova qëndron mirë si me vendet e rajonit, ashtu edhe globalisht. Mbi 90 përqind të fëmijëve janë të vaksinuar, por dukshëm më e vogël është përqindja te fëmijët e komunitetit romë, ashkali dhe egjiptianë. Te ky komunitet vetëm 38 përqind e fëmijëve janë plotësisht të vaksinuar sipas kalendarit të aprovuar nga IKSHPK”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, Ferdane Asllani nga Balkan Sun Flowers Kosova, ka treguar për vështirësitë në të cilat kanë hasur gjatë fushatës së ndërgjegjësimit të prindërve.  

“Kemi mbajtur takime ndërgjegjësuese me prindërit dhe ka pasur një rezultat të kënaqshëm por ende ka nevojë të punohet shumë me prindërit sepse nuk kanë të drejtë t’ia ndalin vaksinimin fëmijëve. Ka raste kur hasim edhe në rezistencë të prindërve për të mos i iminizuar fëmijët e tyre. Arsyeja sipas tyre është se po u krijohet temperaturë fëmijëve dhe se po shkaktohen sëmundje prej vaksinave. E të gjitha këto janë dezinformata që ua kanë mbushur kokën prindërve dhe refuzojnë t’i vaksinojnë fëmijët”, ka theksuar Asllani.

Sipas saj refuzimi vjen si pasojë e mosnjohurive të duhura të prindërve për rëndësinë e imunizimit. Ajo ka thënë se për këtë arsye e kanë nisur edhe projektin ndërgjegjësues derë më derë në 14 komuna, me qëllim të ndërgjegjësimit të prindërve për imunizimin e fëmijëve, por edhe për indentifikimin e fëmijëve që nuk janë vaksinuar plotësisht.

Ndërkohë sipas OBSH-së në Kosovë në kalendarin e rregullt jepen vaksina që parandalojnë më shumë se 20 sëmundje që kërcënojnë me jetë.