Video-68 biznese në Panairin e Turizmit dhe Sportit në Prishtinë
Kimete Kasumi/ RTKLive
Për të 18-n herë me radhë, edhe sivjet në Kosovë organizohet Panairi i Turizmit dhe Sportit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të turizmit dhe të sportit në vend.
Për dy ditë me radhë, më 5 dhe 6 maj, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, te standet e pjesëmarrësve, të gjithë të interesuarit mund të marrin informata për sportet dhe për mundësitë e turizmit që ofrohen në Kosovë dhe në disa shtete të tjera.
Të ftuar në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, për të folur për këtë panair, sot ishin: Bekim Xhafa, udhëheqës i CEO dhe Hysen Sogojeva, kryetar i Odës dhe Hotelierizmit në Kosovë.
Të ftuarit kanë bërë me dije se risi këtë herë është se panairi nuk është vetëm regjional.
“Në këtë panair bëhet promovimi i ofertave turistike për qytetarët në nivel jo vetëm regjional. Këtë herë kanë ardhur edhe nga regjioni Puglia i Italisë”, ka treguar Xhafa.
Ndërkaq Sogojeva ka thënë se këtë herë mbi 22 biznese pjesëmarrëse, anëtare të Odës dhe Hotelierizmit, falë CEOS, pjesëmarrjen e kanë pa pagesë.
Ndër të tjera, Xhafa ka bërë me dije se në këtë panair ka biznese edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi. “Mbi 68 biznese janë pjesëmarrëse. 22 prej tyre janë anëtare të OHTK-së. Mali i Zi përfaqësohet me biznese nga tetë komuna. Edhe nga Maqedonia kanë ardhur disa. Ka edhe agjenci turistike dhe shoqata që promovojnë punën e tyre”, ka njoftuar Xhafa.
Për më shumë ndiqeni videon e plotë: