BERZH parashikon tkurrje të ekonomisë ukrainase gjatë këtij viti
Ekonomi

BERZH parashikon tkurrje të ekonomisë ukrainase gjatë këtij viti

REL

Ekonomia e Ukrainës pritet të tkurret për pothuajse një të tretën gjatë këtij viti, teksa pushtimi rus po vazhdon, tha Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

BERZH tha më 10 maj se prodhimi i Ukrainës do të tkurret për 30 për qind apo 10 për qind më shumë krahasuar me një parashikim që kishte dhënë kjo bankë në mars, menjëherë pas nisjes së luftës.

Kjo bankë, me seli në Londër, bëri këto njoftime në hapje të konferencës vjetore në Marakesh të Marokut.

BERZH shtoi se ekonomia e Ukrainës do të rimëkëmbej për 25 për qind më 2023, që është një parashikim më i lartë se në muajin mars, kur kishte thënë se rimëkëmbja do të ishte për 23 për qind.

Bllokadat e shkaktuara nga ushtria ruse kanë goditur rëndë sektorin kyç bujqësor të Ukrainës, pasi ky shtet është një prej eksportuesve kryesor të grurit dhe vajit të lulediellit.

Luftimet po ashtu kanë ndërprerë dërgesat e kabllove nga Ukraina, të cilat i importojnë prodhuesit evropian të makinave.

BERZH-i shtoi se ekonomia e Rusisë, që është goditur nga sanksionet perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës, do të tkurret për 10 për qind gjatë këtij viti dhe do të ketë zero rritje vitin e ardhshëm, ashtu siç kishte parashikuar kjo bankë në muajin mars.


MË SHUME NGA Ekonomi