Sindikata e KEDS-KESCO-s paralajmëron grevë
Ekonomi

Sindikata e KEDS-KESCO-s paralajmëron grevë

Muharrem Miftari/RTKLive

Sipas paralajmërimeve të përfaqësuesve sindikalë më 11 maj greva do të jetë njëorëshe, më 12 maj dyorëshe e dita e tretë e grevës do të zgjasë tri orë.

Kërkesë e tyre është rritja e pagës për 100 euro.

“Fillimisht kemi bërë kërkesë që në nëntor të vitit të kaluar për ngritjen e pagave për punëtorët, sepse gjendja e tyre ishte shumë  e rënduar, sidomos kohën e pandemisë, që atëherë ishte e nevojshme të rritet paga, por ata na kanë afruar një ngritje minimale, prej 30 eurosh dhe atë jo për të gjithë punëtorët, kjo na ka shtyrë të marrim këtë hap” deklaroi Ahmet Mujeci, kryetar i shoqatës sindikale në KEDS-KESCO, në “Imazh i Ditës” në RTK.

Ai më tej adresoi kritika kundrejt Bordit të KEDS-KESCO, meqë, sipas tij, nuk kanë pasur parasysh gjendjen e rëndë të punëtorëve duke neglizhuar situatën përmes një nivelimi të pagave e jo ngritjen e saj.

“Ne kemi indinjatën te Bordi i KEDS-KESCO, sepse ata e dinë gjendjen tonë, sidomos tani në kushte shumë të rëndë ekonomike dhe për këtë shkak neve po na ikin kuadrot, të cilët janë profesionalisht të përgatitur", theksoi ai.

Tutje Mujeci njoftoi se nga Bordi deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje, duke shtuar se pikërisht për këtë shkak ata do të marrin një hap që çon drejt grevës së përgjithshme.

“Bordi deri më tani nuk na ka kthyer asnjë përgjigje, ndaj ne po marrim këtë hap si paralajmërim, nëse nuk përgjigjen ndaj këtyre kërkesave, ne do të marrim hapin e radhës, që do të jetë grevë e përgjithshme”, deklaroi Mujeci.

Më tej, Mujeci tregoi se sindikata gëzon mbështetjen e të gjithë punëtorëve të KEDS-KESCO dhe siguroi që punëtorët e kësaj kompanie do të jenë të kujdesshëm dhe në shërbim të qytetarëve, duke sqaruar se greva, tani për tani, është e pjesshme.


MË SHUME NGA Ekonomi