Procesi i mbjelljeve pranverore është drejt përfundimit
Foto RTK
Ekonomi

Procesi i mbjelljeve pranverore është drejt përfundimit

Pajtim Çuni/ Radio Kosova

Përkundër reshjeve të shiut dhe temperaturave të ulëta gjatë prillit, procesi i mbjelljeve pranverore është drejt përfundimit. Ekspertët e bujqësisë porosisin që mbjelljet të përfundohet në pjesën e parë të majit maj. Ata apelojnë te bujqit që përkundër sfidave të mbjellin çdo pëllëmbë toke, në mënyrë që të rritet prodhimi vendor.

Pranverë e vonuar po cilësohet kjo e sivjetmja, prilli i së cilës u karakterizua me temperatura të ulëta e reshje të konsiderueshme shiu. Këto bënë që edhe procesi i mbjelljeve pranverore të vonohet paksa. Mbjelljet janë drejt përfundimit, e të njëjtat mund të vazhdojnë edhe pak ditë, pohon për Radio Kosovë profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci.

 “Për zonat që janë me lartësi më të madhe mbidetare, mbjelljet mund të vazhdojnë deri rreth 15 majit. Në këto rast, fermerët duhet të kenë parasysh këto dy kritere kryesore: përzgjedhjen e hibridit me periudhë më të shkurtër vegjetative si dhe gjatë mbjelljeve të shtojnë sasinë e farës dhe plehut për rreth 10-15%”, tha ai.   

Tutje, profesor Rusinovci thotë se marrë parasysh importin e lartë, rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore si dhe konfliktin Rusi-Ukrainë, është e nevojshme që të punohet çdo pëllëmbë tokë.

 “Janë disa faktorë që po na e kushtëzojnë këtë pasiguri ushqimore, qoftë pasojat nga COVID-i, ndryshimet klimatike, shtrenjtimi i farërave dhe plehrave minerale, apo edhe konflikti Rusi-Ukrainë. Në këtë këndvështrim, duhet të kemi pikësynim që të prodhojmë sa më shumë nga konditat tona agro-ekologjike, në mënyrë që importi të zvogëlohet për aq sa ka hapësirë dhe mundësi”, tha ai.  

Profesori Rusinovci thotë se gjendja e kulturave bujqësore vjeshtore, e ku më kryesori është gruri, është e  kënaqshme, ndonëse sipas tij, në rendimente më të ulëta mund të ndikojë mos plehërimi i mjaftueshëm, si pasojë e çmimit të lartë të plehrave artificiale.

Ndërkohë, me qëllim të përkrahjes së bujqve, Ministra e Bujqësisë këtë vit do të ndajë 50 milionë euro subvencione. Në këtë shumë, është paraparë ndarja e 5 milionë eurove për subvencionimin e naftës për bujq dhe 8 milionë të tjera për subvencionimin e plehërimit.   

 


MË SHUME NGA Ekonomi