VIDEO-Kurtishaj:Ngritja e çmimeve të naftës goditi rëndë transportin rrugor
Foto RTK
Ekonomi

VIDEO-Kurtishaj:Ngritja e çmimeve të naftës goditi rëndë transportin rrugor

Afet BELA/ RTKlive

Sektori i transportit rrugor është kyç për zhvillimin e ekonomisë së një vendi. Kosova si vend me ekonomi të vogël e ka transportin rrugor deri dikund të zhvilluar, por që vitet e fundit është goditur qoftë nga pandemia apo edhe së fundi nga ngritja e çmimeve si pasoja e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Kryesuesi i Kuvendit të OEK-ut dhe kryetar i Shoqatës së Transportit rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, ka kërkuar mbështetje institucionale për mbarëvajtjen e këtij sektori.

“Ne kërkojmë mbështetje dhe jo ndëshkime, në këtë rast kërkojmë nga ATK-ja të mos na ndëshkojë me gjoba të cilat nuk janë realiste, transportuesit rrugor janë dënuar për mungesë të kuponëve fiskal, por transportuesit rrugor ndërkombëtar kanë libra dhe asnjëri nuk u ik tatimeve të shtetit”, tha Ruzhdi Kurtishaj sot në emisionin e mëngjesit `Mirëmëngjesi Kosovë`, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Ai ka kërkuar ndërhyrje nga qeveria për të mos e lënë të falimentojë këtë sektor kyç për qytetarët e Kosovës.  

“Ka kompani nga Kosova që kanë bankrotuar, jemi në një situatë të mjerueshme, këta operatorë kanë mbijetuar për këto 20 vite, shpenzimet janë të njëjta si me 10 udhëtarë si me 50 “, theksoi Kurtishaj.

Sipas tij edhe transportuesit rrugor tani punësojnë mijëra punëtorë në Kosovë. “Ne kemi të punësuar mijëra punëtorë, shpresoj që të kemi mbështetje dhe uroj që sezoni që ka filluar të ec mbarë. Shqipëria ka mbi 30 % të pushuesve nga Kosova. Kosovarët e kanë shpëtuar turizmin në Shqipëri. Duhet të punojmë në dy anët që turizmi të zhvillohet, qytetarët e Shqipërisë të kalojnë pushimet dimërore në Kosovë”, tha Kurtishaj. Ai ka ftuar kosovarët të pushojnë shqip.