Zyra Kombëtare e Auditimit publikoi 13 raporte të auditimit
Foto EO
Ekonomi

Zyra Kombëtare e Auditimit publikoi 13 raporte të auditimit

KSP

Me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit nga Zyra Kombëtare e Audtimit, auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit. Spanca tha se krahasuar me vitet e kaluara, situata (gjetjet) janë edhe më e rënduar. Kjo sipas saj, kryesisht nëpër komuna.

“Parregullsitë janë të hapura pothuajse në secilën cikël dhe fushë të shpenzimeve. Po i përmendi vetëm disa: Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe kryesisht për punë dhe detyra të rregullta të organizatës, mangësi në procesin e prokurimit publik, tejkalim i vlerave të kontratave, mangësi në menaxhimin e kontratave, inicim i projekteve pa zotim të mjaftueshëm të fondeve, mos pagesa e faturave brenda afatit 30 ditëve, mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve dhe mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencione”, tha Spanca.

Ajo tha se këto mangësi të identifikuara në këto auditime po përsëriten çdo vit.

Gjithashtu, ZKA ka kryer auditimin e performncës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Bazuar në gjetjet, konkluzioni i auditimit është se në institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e marrëdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikules dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë.

Po ashtu, në kuadër të auditimit të përformances, ZKA ka audituar disa aktivitete të prokurimit që Korporata Energjetike e Kosovës, i ka zhvilluar gjatë viteve 2018-2020.

Në konferencën për media, Spanca theksoi se aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit me ç’rast Korporata Energjetike e Kosovës, përveç që nuk ka siguruar transparencë në prokurim, në disa raste ka paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar 13 raporte të auditimit në institucione përkatëse, prej tyre, janë 11 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë, si dhe dy raporte të auditimit të performances.

Raportet e kryera të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë janë publikuar për komunat: Gjilan, Skenderaj, Vushtrri, Kamenicë, Graçanicë, Zveçan, Shtërpcë, Mitrovice e Jugut, Mitrovicë e Veriut dhe Novo Bërdë. Gjithashtu, një raport është dërguar për Ministrinë e Ekonomisë.

Ndërsa raportet e auditimit të performances janë: njëri për “fushën e prokurimit publik në Korporatën Energjetike te Kosovës” dhe raporti tjetër për “Vlerësimin e nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”.